Lajme
VLEN: Fshirja e postimit nuk mjafton, ministri Ferit Hoxha duhet të kërkojë falje publike

Koalicioni VLEN ka reaguar ashpër pas mesazhit përçmues të ministrit të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, ku në komunikim ata janë quajtur “idiotë”. Sipas VLEN-it, një gjuhë e tillë përbën skandal të rëndë politik dhe diplomatik dhe është krejtësisht e papranueshme.
VLEN thekson se ky nuk mund të trajtohet si një incident i zakonshëm komunikimi, por si një akt që cenon rëndë etikën dhe kulturën diplomatike, duke ngritur pikëpyetje serioze për mënyrën se si një përfaqësues i shtetit shqiptar i drejtohet shqiptarëve jashtë kufijve.
“Një gjuhë e tillë është fyese, përçmuese dhe e papranueshme. Ajo tregon mungesë të kulturës diplomatike dhe krijon dilema serioze për sjelljen institucionale,” thuhet në reagim.
Sipas VLEN-it, reagimet e shumta nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, përfshirë politikanë, gazetarë dhe qytetarë, dëshmojnë se mesazhi është perceptuar qartësisht si ofendues dhe denigrues.
Koalicioni shton se fshirja e postimit nga ministri nuk e zhbën dëmin e shkaktuar.
“Fshirja e postimit nuk mjafton. Për një akt të tillë duhet kërkim faljeje publike,” thekson VLEN.
Në reagim ngrihet gjithashtu shqetësimi për mungesën e distancimit nga Tirana zyrtare, duke e konsideruar heshtjen e institucioneve shqiptare si shqetësuese në këtë rast.
VLEN përmend edhe përfshirjen e ambasadorit të Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, në komunikimin e publikuar, duke vlerësuar se kjo ka krijuar perceptimin e një pozicionimi institucional në dëm të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
“Ky është zhvillim i papranueshëm dhe dëmton marrëdhëniet dhe perceptimin e paanshmërisë institucionale,” thuhet më tej.
Koalicioni thekson se rasti nuk lidhet vetëm me një subjekt politik, por prek një pjesë të gjerë të elektoratit shqiptar në vend.
“VLEN-in e kanë votuar dhjetëra mijëra shqiptarë. Pas tij qëndrojnë familje, intelektualë, punëtorë dhe të rinj. Prandaj ky është përçmim ndaj një pjese të madhe të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut,” vijon reagimi.
Në fund, VLEN thekson se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë pjesë e pandashme e kombit shqiptar dhe çdo gjuhë përçmuese ndaj tyre është e papranueshme.
“Ferit Hoxha duhet së paku të kërkojë falje publike,” përfundon reagimi.
















