Connect with us

OP / ED

Unë do ta nis këtë shkrim nga një këndvështrim…

Publikuar

Shkruan: Gazmend Aliu

Unë do ta nis këtë shkrim nga një këndvështrim që e kam formuar teksa po hyja në moshë madhore, duke marrë pjesë në disa cikle zgjedhore dhe duke përcjellë nga afër politikëbërjen dhe njerëzit që e udhëheqin atë. Më pas u punësova në një institucion shtetëror. Pas një kohe të shkurtër, një person me të cilin kishim studiuar bashkë u emërua si zëvendësministër i Kulturës. Kjo ishte një trajektore interesante për mua, sepse më dha mundësinë të shoh nga brenda dhe nga jashtë funksionimin e një shteti, siç është Maqedonia e Veriut.

Gradualisht fillova të krijoj bindjen se sistemi gjithmonë ka funksionuar në këtë mënyrë dhe se i tillë ka qenë gjithmonë. Dallimi i vetëm është se të tjerët kanë ditur ta mbështjellin dhe ta kamuflojnë më bukur. Ndryshe nuk ka si të jetë. Ishin thjesht ëndrrat e një të riu që dëshironte të shihte një funksionim perfekt, pa korrupsion, duke besuar se shteti dhe puna shtetërore janë për t’i shërbyer qytetarëve dhe për t’u shpërblyer me një rrogë solide. Por realiteti nuk ishte i tillë, të paktën jo aty ku jetoja unë. Ishte vetëm ëndrra e një të riu për një botë më të mirë dhe më të drejtë, siç na kanë mësuar që të vegjël.

Ky dëshpërim mori fund dhe mori një drejtim tjetër me ardhjen në pushtet të një njeriu që, në çdo aspekt, i dha kuptim atij botëkuptimi që tek unë kishte filluar të zbehej. Sot jam i lumtur që ende ka njerëz që veprojnë drejt me gabime, pa qenë perfektë, por në shërbim të qytetarëve. Besimi im sot është edhe më i madh, sidomos kur shoh që nuk bëhet pjesë e pazareve që të tjerët i quajnë “politikë diplomatike” apo fleksibile, por që në thelb janë tradhti dhe kompromis i gabuar.

Prandaj, edhe sot, me bindje të plotë, them: faleminderit Kryeministrit Kurti që na kujton se politika është shumë më e madhe se individët dhe grupet e interesit ajo është shërbim i drejtë për popullin.