Lajme
U pengua të dal në krye të protestës, Arbër Ademi: VLEN inskenoi ngjarjen, por nuk ia doli

Pas publikimit të pamjeve nga protesta e studentëve, ku shihet se është penguar të dalë në krye të turmës, ka reaguar nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, raporton Zyrtare.
Në reagimin e tij, Ademi akuzon për përpjekje të qëllimshme për provokim dhe manipulim të protestës, duke theksuar se bëhet fjalë për një skenar për të komprometuar një kauzë që, sipas tij, është e drejtë dhe jopartiake.
Ai pretendon se gjatë protestës është tentuar një “provokim i ulët për kamera” nga persona të lidhur me kundërshtarë politikë, me qëllim që të devijohet vëmendja dhe të njolloset protesta.
Sipas tij, kur nuk arrihet të ndalet një protestë, bëhen përpjekje për ta diskredituar atë, por shton se kjo nuk ka pasur sukses.
Ademi gjithashtu akuzon koalicionin VLEN se ka tentuar të prishë protestën, por pa rezultat, ndërsa shpreh bindjen se studentët do të vazhdojnë të qëndrojnë në kërkesat e tyre dhe do të arrijnë qëllimin./Zyrtare/



















