Lajme
Reagon Rijad Shaqiri: Po manipulohet opinioni me dokumente zyrtare

Deputeti Rijad Shaqiri ka reaguar ashpër pas publikimit të një dokumenti sipas të cilit kërkesat në Kuvend i ka dorëzuar në gjuhën maqedonase, duke hedhur akuza për hipokrizi dhe manipulim të opinionit publik.
Në reagimin e tij, Shaqiri kritikon një person të paemëruar, duke theksuar se “kur dikush që është i thirrur ta zbatojë përdorimin e gjuhës shqipe brenda institucionit që udhëheq, e redukton këtë përgjegjësi në formalitet”, atëherë sipas tij bëhet fjalë për mungesë përkushtimi dhe “hipokrizi të pastër”.
Ai shton se situata bëhet edhe më shqetësuese kur, siç thotë, “preken interesat e padronëve”, duke akuzuar për përpjekje për manipulim të opinionit përmes keqpërdorimit të dokumenteve zyrtare dhe shpifjeve në media.
Sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe, Shaqiri thekson se nuk kanë nevojë për propagandë, duke nënvizuar se puna konkrete në Kuvend flet vetë për angazhimin e tyre.
Në fund të reagimit, ai u drejtohet qytetarëve me një mesazh të drejtpërdrejtë, duke paralajmëruar për pasojat që, sipas tij, mund të sjellë një qasje e tillë në qeverisje.

















