Bota
Pesë arsyet pse Marina Amerikane nuk e rihap dot Hormuzin

Pas tensionimit të marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Teheranit, presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar hapur Iranin për mbylljen e Ngushticës e Hormuzit.
Megjithatë, përtej retorikës politike, realiteti ushtarak tregon se rihapja e kësaj nyjeje strategjike nuk është një “manovër e thjeshtë”, por një sfidë që mund të dështojë me kosto të rënda. Ja cilat janë pesë sfidat kryesore:
1. Gjeografia në favor të Iranit
Hormuzi është një rrugë ujore jashtëzakonisht e ngushtë. Irani kontrollon gjithë bregdetin verior, të cilin e ka fortifikuar me raketa, dronë dhe mijëra mjete të vogla lundruese.
Edhe një aftësi minimale iraniane pas sulmeve amerikane, mbetet një kërcënim vdekjeprurës për anijet civile që duhet të lundrojnë në korridorë të ngushtë e të parashikueshëm.
2. Kërcënimi i padukshëm i minave
Minat detare janë sfida më e madhe. Marina Amerikane ka mungesë të theksuar mjetesh për pastrimin e minave. Edhe nëse Irani pretendon se ka vendosur mina por pa e bërë vërtet atë, kjo mjafton që kompanitë e sigurimit të bllokojnë lundrimin.
Një përplasje e vetme mbi një minë do të destabilizonte menjëherë ekonominë globale dhe do të rriste kostot në nivele të papërballueshme.
3. Diferenca mes eskortimit dhe tregtisë
Marina mund të shoqërojë (eskortojë) disa anije ushtarake apo karvanë të caktuar, por kjo nuk do të thotë se tregtia është rihapur.
Besimi i tregut kërkon siguri totale. Për më tepër, anijet shoqëruese amerikane do të bëheshin shënjestra të mbi 88.000 dronë Shahed dhe raketa hipersonike që zotëron Irani, duke rritur rrezikun e humbjeve të rënda.
4. Mungesa e aleatëve dhe ryshfetet
Pse do të rrezikonin Evropa, India apo Japonia anijet e tyre luftarake në një konflikt të hapur, kur ato thjesht mund t’i paguajnë Teheranit një “ryshfet” në juanin kinez për të lejuar kalimin e mallrave?
SHBA mund të mbetet e vetme në këtë përpjekje, pasi aleatët po shohin si më pak të kushtueshme përshtatjen me kushtet e Iranit sesa luftën ballore me të.
5. Rreziku i zgjerimit të pashmangshëm të luftës
Një operacion për rihapjen e ngushticës nuk mund të mbetet vetëm detar. Për të mbrojtur anijet, SHBA-ja do të duhej të godiste bazat e lëshimit në tokë dhe ndoshta të zbarkonte trupa në territorin iranian.
Kjo do ta shndërronte shpejt një “mision sigurie” në një luftë në shkallë të plotë, një konflikt që Irani ka treguar se mund ta përballojë edhe nën presionin e sulmeve ajrore. /tesheshi.com/






















