Connect with us

OP / ED

Për inatë të Ali Ahmetit nuk guxon të sakrifikohet gjuha shqipe

Publikuar

Shkruan: Naim Sinani

Pak problem janë goditjet ndaj Ali Ahmetit dhe BDI-së, madje shumë prej kritikave nga eksponentë të koalicionit VLEN për keqqeverisjen 20-vjeçare qëndrojnë. Por kjo nuk i arsyeton deklaratat e askujt se gjuha shqipe nuk është zyrtare në Maqedoni. Vlerësoj se me një deklaratë të tillë nuk dëmtohet individi apo ndonjë parti politike, por shqiptarët në përgjithësi, pasi vetëm inkurajojnë Gjykatën Kushtetuese që t’i abrogojë disa nene të Ligjit për gjuhët, në mënyrë që gjuha shqipe të mos mund të përdoret në sistemin e drejtësisë. Dhe nuk ka gjë më cinike sesa kur e dëgjoj sqarimin se në Kushtetutë dhe ligj nuk shkruan “gjuha shqipe”, por “gjuha që e flasin 20%”. Të nderuar politikanë dhe ekspertë juridikë, termi “gjuha që e flasin 20% e popullsisë”, si zëvendësim për termin “gjuha shqipe”, mund të merret si ofendues, por kjo nuk e zvogëlon obligimin kushtetues për trajtimin e gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ashtu siç rregullohet me Nenin 7 të Kushtetutës. Kur jemi te Neni 7, është e qartë se gjuha shqipe nuk është e barabartë me maqedonishten, sepse ky nen gjuhën maqedonase e definon si gjuhë zyrtare në tërë territorin e shtetit dhe në përdorim ndërkombëtar, ndërsa për gjuhën që e përdorin 20% e popullsisë (gjuha shqipe) thuhet se po ashtu është në përdorim zyrtar në Maqedoni, pra brenda vendit. Po ashtu, në një pjesë të tekstit të Nenit 7 të Kushtetutës thuhet: “Çdo qytetar në komunikim me ministritë mund ta përdorë njërën nga gjuhët zyrtare dhe alfabetin e saj, ndërsa ministritë përgjigjen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën zyrtare dhe alfabetin të cilin e përdor qytetari. Në organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, gjuha zyrtare e ndryshme nga gjuha maqedonase mund të përdoret në përputhje me ligjin.”

Ndërsa në praktikë kjo e drejtë u mohohet qytetarëve, sepse kur aplikojmë për dokumente personale, formularët duhet t’i plotësojmë në dy gjuhë, pasi vetëm në gjuhën shqipe nuk pranohen.

Prandaj, në vend që partitë shqiptare të kacafyten për avancimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe deri në nivelin maksimal që e parasheh Kushtetuta, së fundmi po shohim kthim prapa, te çështja nëse është apo jo shqipja gjuhë zyrtare!
Dhe për çudi, më e avancuar në këtë drejtim është deklarata e liderit të LSDM-së opozitare, Venko Filipçe, i cili deklaroi se promovimi i jurisprudencës duhet të mbahet edhe në gjuhën shqipe, sesa e disa politikanëve dhe ekspertëve shqiptarë.
Dhe kur jemi te taborret politike, askush nuk guxon që çështjet me interes kombëtar t’i vendosë në tryezën e pazareve politike, që faktori politik maqedonas të vendosë të marrë në qeveri atë që pranon të bëjë më shumë koncesione në dëm të gjuhës shqipe apo të drejtave të tjera kolektive të shqiptarëve. Dhe të jemi të qartë deri në fund: sa për akuzat dhe kritikat që mund t’ia bëni BDI-së, nuk i jap pesë para. Madje, shumë prej këtyre kritikave që ju ia bëni sot, kur është në opozitë, unë ia kam bërë ndër vite, derisa ajo ishte në pushtet, për çka unë dhe familja ime kemi pasur edhe pasoja. Por si intelektual, kurrë nuk do të pranoj politika të atilla që, për inat të BDI-së dhe Ali Ahmetit, të dëmtohen shqiptarët.

NA NDIQ NË FACEBOOK