Lajme
Nga Budapesti në Tiranë: paradoksi i mediave shtetërore si “vatra” korrupsioni

Peter Magyar, njeriu që tronditi themelet e sistemit të Viktor Orbanit në HUngari, ka nisur zyrtarisht çmontimin e asaj që ai e quan “makineria e gënjeshtrës”.
Duke folur drejtpërdrejt nga studiot e mediave që për pesëmbedhjetë vite shërbyen si altoparlantë të qeverisë, kryeministri i zgjedhur deklaroi fundin e epokës së propagandës “gebelsiane”.
Magyar, i cili pritet të marrë detyrën në maj, ka premtuar se hapi i tij i parë do të jetë mbyllja e kanaleve që ushqehen me paratë e taksapaguesve vetëm për të sulmuar opozitën dhe për të deformuar realitetin.
“Nuk bëhet fjalë për hakmarrje, por për t’u kthyer hungarezëve dinjitetin dhe informacionin e vërtetë”- sqaroi ai. Por ndërsa në Budapest fryma e ndryshimit shoqërohet me një vendosmëri kirurgjikale për të prerë fijet e korrupsionit mediatik, në Shqipëri situata e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) paraqet një kontrast të zymtë dhe paradoksal.
RTSH është kthyer prej vitesh në një “gangrenë” të vërtetë për financat publike, duke gllabëruar miliona euro nga buxheti i shtetit dhe faturat e energjisë së qytetarëve, pa ofruar në këmbim as objektivitet dhe as cilësi.
Megjithëse kryeministri Edi Rama ka deklaruar publikisht, me një dozë mospërfilljeje, se “as nuk e ndjek fare” atë që transmeton ky televizion dhe madje ka paralajmëruar mbylljen e tij, abuzimet financiare brenda këtij institucioni vazhdojnë të mbeten galopante.
Raportet flasin për qindra miliona, në mos miliarda lekë, që qarkullojnë në skema dyshimta prokurimesh dhe pagash të fryra, ndërkohë që institucioni mbetet i parëndësishëm në tregun mediatik.
Ky kontrast midis Magyar dhe realitetit shqiptar bëhet edhe më i fortë kur sheh se çfarë fshihet pas retorikës për “mbylljen” apo “reformimin”.
Nëse në Hungari Magyar kërkon ta çlirojë hapësirën publike nga propaganda për t’ia kthyer publikut, në Tiranë zërat për mbylljen e RTSH-së shpesh nuk burojnë nga vullneti për të ndalur korrupsionin, por nga interesat e ethshme për truallin ku ngrihet ky institucion.
Pas perdes së kritikave qeveritare, fshihen plane për zhvillime urbane dhe ndërtimin e kullave në njërën prej zonave më të lakmuara dhe më të shtrenjta të kryeqytetit.
Kështu, lufta kundër “propagandës” në Shqipëri rrezikon të kthehet në një mjet për një tjetër cikël abuzimi: atë të tjetërsimit të pasurisë publike për interesa klienteliste.
Ndërsa Magyar po përdor mandatin e tij për të rishkruar Kushtetutën dhe për të pastruar administratën nga “kukullat” politike, në Shqipëri lufta kundër korrupsionit mediatik mbetet një lojë me dy standarde.
Atje ku udhëheqësi i ri hungarez sheh një mundësi për të rikthyer demokracinë, në Shqipëri elita politike sheh thjesht metra katrorë për ndërtim, duke lënë pas një institucion të rrënuar që vazhdon të gjymtojë financat e shtetit në emër të një shërbimi publik që ekziston vetëm në letër. /tesheshi.com/




















