Connect with us

Religjion

Nëse dëshiron këshillë, shikoje dynjanë

Publikuar

Dijetari dhe i devotshmi Hatem el-Esami, duke i këshilluar bashkëkohësit e tij, por edhe neve, ka thënë: “Nëse kërkon mik, Allahu të mjafton. Nëse kërkon shoqërues, melekët të mjaftojnë. Nëse dëshiron vërejtje (përkujtim), të mjafton ta shikosh dynjanë. Nëse dëshiron këshillë, vdekja të mjafton si këshillues. Nëse të gjitha këto nuk të mjaftojnë, atëherë Xhehenemi do të të mjaftojë.” (Feriduddin Attar).

Ndjenja se Allahu është i pranishëm çdokund nuk e braktis besimtarin. Kudo që të jetë, me çfarëdo që të merret, besimtari e di se nuk është vetëm; ai e di se Allahu sheh çdo gjë, dëgjon çdo gjë dhe di çdo gjë. Në këtë mënyrë, besimtari miqësohet me Zotin e botëve, sepse mik më të mirë se Allahu i Lartësuar nuk ka. Nga ky raport me Allahun, nga kjo vetëdije mbi përgjegjësinë, rrjedh se besimtari askund dhe kurrë nuk e bën atë që nuk i pëlqen Allahut, atë që nuk çon drejt kënaqësisë së Tij. Njeriu, kur të niset drejt takimit me Zotin, nuk do të ketë mik tjetër përveç veprave të mira. Vetëm vepra e mirë do t’i bëjë dobi në varr, vetëm veprave të mira do t’u gëzohet kur të përballet me gjyqin përfundimtar. Miqësia me Allahun këtu (në këtë botë), i siguron njeriut, besimtarit, një mik në rrugën drejt përjetësisë. Ta kesh Allahun mik, do të thotë të jesh bamirës dhe të jesh larg gjynaheve.

Vetëdija se meleket na ndjekin dhe shënojnë çfarë flasim dhe çfarë bëjmë, nuk e braktis besimtarin. Kudo që të jetë dhe çfarëdo që të bëjë, besimtari e di se meleket Kiramen Katibin janë shoqëruesit e tij. Allahu i Plotfuqishëm thotë se mbi ne mbikëqyrin roje, shkrues të nderuar që e dinë se çfarë bëjmë ne. Nga kjo vetëdije dhe njohje se askund dhe kurrë nuk jemi pa mbikëqyrje – pa mbikëqyrjen e atyre që do të dalin para nesh në Ditën e gjyqit përfundimtar dhe do të na njoftojnë për atë që kemi punuar – buron përgjegjësia dhe kujdesi që askund dhe kurrë të mos bësh diçka që do ta vinte në punë melekun tënd në krahun e majtë, por me angazhimin tënd ta vësh në punë sa më shumë melekun në krahun e djathtë. Kush do të jetë shoqëruesi ynë kur t’i mbyllim sytë përgjithmonë? Kush do të jetë shoqëruesi ynë kur të gjithë të na japin hallallin e fundit? Kush do të jetë shoqëruesi ynë kur të gjithë të largohen nga varri ynë sapo i mbuluar? Askush përveç veprave. Prandaj, dija dhe vetëdija se melekët i kemi shoqërues kudo dhe kurdoherë, duhet të na bëjë bamirës dhe duhet të na përgatisë për jetën e amshuar në kënaqësi të papërshkrueshme.

Përkujtimi (vërejtja) u bën dobi besimtarëve, dhe besimtari e di se meditimi është ibadet. Nëse e shikojmë botën përreth nesh dhe meditojmë për atë që shohim, përkujtimet nuk do të na mungojnë. Do të shohim se çdo gjë kalon, se çdo gjë zhduket; do ta shohim live (drejtpërdrejt) të vërtetën që thotë Allahu kur na tregon se çdo gjë që është mbi Tokë është kalimtare. Do ta shohim atë që Allahu na thotë kur thotë se kjo jetë këtu është lojë dhe dëfrim, dhe do ta kuptojmë se kuptimi i ekzistencës sonë është lufta për jetën e amshuar, për jetën e vërtetë. Këtu mund ta kujtojmë ngjarjen kur Pejgamberi (a.s.) dëshiron t’ia tregojë Ebu Hurejres (r.a.) natyrën e vërtetë të dynjasë, andaj e dërgon atë në një vend ku hidhen mbeturinat: Ja, kjo është dynjaja dhe çdo gjë e saj, këtu përfundoi e gjitha; pra, kush dëshiron të vajtojë për dynjanë, le të vajtojë, por le ta dijë se për çfarë po vajton. Duhet qarë ai njeri i cili, edhe pse i sheh të gjitha këto dhe i di të gjitha këto, nuk e dëgjoi vërejtjen, nuk e njohu të vërtetën, nuk iu kthye bamirësisë dhe nuk u pajis me vepra të mira. Ta këshillosh vetveten përmes kalueshmërisë dhe asgjësë së dynjasë, do të thotë të jesh bamirës.

Pavarësisht përpjekjes së besimtarit që Allahu të jetë mik i tij përmes vetëdijes së vazhdueshme për praninë e Tij, pavarësisht njohjes dhe dijes së besimtarit se melekët shkrues të nderuar janë shoqëruesit e tij, pavarësisht vërejtjes që lexon vazhdimisht rreth vetes, njeriu ka nevojë, shpesh ka nevojë për këshillë. Nëse dëshiron këshillë, ja, ju i përcillni të vdekurit tuaj, vëllezërit dhe motrat tuaja; kjo është këshilla, një këshillë e qartë dhe e padyshimtë se pa Allahun si mik, pa vetëdijen për melekët shoqërues, tani kur niset tabuti, ti nuk ke mik tjetër. Mik do të ketë vetëm ai që stoliset me bamirësi dhe që pajiset me vepra të mira.

Nëse Allahun nuk e ke pasur vazhdimisht në mendje, nëse shoqëruesit i ke neglizhuar dhe nuk t’u ka bërë vonë se cili prej tyre po e shkruan librin tënd, nëse ke qenë koshient për kalueshmërinë, kurse bamirësinë dhe veprat e mira i ke lënë pas dore, ku do të shkosh?

O Allahu i Madhërishëm, na ndihmo që të miqësohemi me Ty dhe të jemi të vetëdijshëm për shoqëruesit tanë, që të shpëtojmë! Amin!

Hatib: Izet ef. Čamdžić

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK