Lajme
Murtezani numëron ministrat e BDI-së: E lanë për 20 vite pezull Ligjin e Jurisprudencës, VLEN po kërkon zgjidhje

Zëvendëssekretari i Qeverisë, Hasim Murtezani, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me çështjen e Ligjit të Jurisprudencës dhe protestën e paralajmëruar nga studentët.
Murtezani ka akuzuar drejtpërdrejt BDI-në, duke theksuar se për më shumë se dy dekada nuk ka arritur të zgjidhë këtë problematikë, pavarësisht se ka pasur në disa mandate Ministrinë e Drejtësisë.
Ai ka renditur ish-ministrat shqiptarë të Drejtësisë nga radhët e BDI-së, duke përmendur se gjatë mandateve të tyre çështja ka mbetur e pazgjidhur.
“Le ta dinë studentët që do protestojnë nesër se e drejta e protestës është plotësisht demokratike dhe legjitime, por ata që e lanë pa zgjidhur çështjen e provimit të jurisprudencës është pikërisht BDI-ja për 20 vite”, ka shkruar Murtezani.
Sipas tij, VLEN, ndonëse vetëm rreth një vit e gjysmë në qeveri, po bën përpjekje për të gjetur zgjidhje për një problem që, siç thekson ai, është trashëguar prej 20 vitesh.
Murtezani e cilëson këtë çështje si një problematikë të akumuluar ndër vite, duke shtuar se zgjidhja kërkon kohë dhe angazhim institucional.


















