Lajme
Makineri golash këtë sezon: cili është sekreti i Bajernit?

Bajern Mynih po luan në një nivel të lartë edhe për standardet e saj, kryesisht falë një trajneri elegant dhe një sulmuesi të shkëlqyer. Të mërkurën në mbrëmje, ata mposhtën Real Madridin 4-3 në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve, duke shënuar herën e katërt brenda një muaji që shënojnë katër ose më shumë gola në një ndeshje.
Deri më tani, Bajern ka shënuar 157 gola në 46 ndeshje, më shumë se çdo ekip tjetër në pesë ligat kryesore të Evropës. Në mars, ata eliminuan Atalantën me rezultatin total 10-2, ndërsa në Bundesligë kryesojnë me tetë pikë diferencë.
Surpriza Vinsent Kompani
Suksesi vjen nën drejtimin e belgut Vinsent Kompani. Emërimi i tij në vitin 2024 ishte një surprizë, pasi ai vinte nga një përvojë e vështirë ku skuadra e tij e mëparshme, Bërnlej ra nga kategoria në Angli. Megjithatë, doli të ishte një zgjedhje e mençur.
Sepse Kompani ka injektuar një stil loje agresiv dhe efikas. Këtë sezon, me dhjetë ndeshje më pak se viti i kaluar, Bayern ka shënuar tashmë më shumë gola, duke humbur vetëm dy ndeshje gjatë gjithë sezonit. Përveç taktikës, tifozët vlerësojnë edhe stilin e tij personal dhe elegancën në stërvitje.
Faktori Herri Kejn
Gati një e treta e golave (pesëdhjetë) mbajnë firmën e anglezit Herri Kejn. Sulmuesi tridhjetë e dy vjeçar po tregon një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, duke lënë pas edhe madrilenin Kilian Mbape në garën për golashënuesit më të mirë.
Kejn është treguar vdekjeprurës brenda zonës, duke shënuar nga aty dyzet e katër nga pesëdhjetë golat e tij. Shifrat e tij janë aq mbresëlënëse sa që, në të njëjtin numër ndeshjesh (dyzet e dy), ai ka shënuar dy gola më shumë se Lionel Messi në sezonin e tij legjendar 2011-2012.
Një sulm kolektiv dhe i organizuar
Pos sekreti i këtij Bajerni nuk është vetëm Kejn. Mbi njëqind gola të tjerë janë shpërndarë në të gjithë ekipin. Pothuajse të gjithë sulmuesit kanë shënuar të paktën dhjetë gola, ndërsa talenti tetëmbëdhjetë vjeçar Lenart Karl ka shënuar nëntë gola.
Kompani ka guxuar edhe me të rinjtë, duke aktivizuar tetë lojtarë midis moshës gjashtëmbedhjetë dhe nëntëmbedhjetë vjeç. Statistikat tregojnë një skuadër jashtëzakonisht agresive: mesatarisht nëntëmbedhjetë goditje për ndeshje, ku gjysma shkojnë në portë.
Interesant është fakti se, pavarësisht sulmeve të vazhdueshme, lojtarët rrallë kapen në pozicion jashtë loje, gjë që dëshmon një organizim perfekt.
Arkitektët e asistimeve
Shumica e golave vijnë nga loja e hapur, çka vërteton sistemin e Kompani. Mikael Olise është njeriu i asistimeve, me njëzet e nëntë të tilla këtë sezon, duke iu afruar rekordeve historike të Messit. Ai shquhet për driblimet dhe depërtimet marramendëse si dhe teknikën delikate në krahun e djathtë.
Pas tij vjen Luis Diaz me tetëmbëdhjetë asiste. Por kontributi vjen nga çdo repart: mesfusha ka prodhuar tridhjetë e një asiste dhe mbrojtja njëzet e nëntë, ku spikat Konrad Laimer me dhjetë të tilla.
Drejt “Tripletës” së tretë?
Edhe mbrojtja, pavarësisht stilit të rrezikshëm e agresiv, ka pësuar vetëm rreth një gol për ndeshje. Me këtë ekuilibër, Bayern Munich synon realisht të bëhet skuadra e parë që fiton
tre herë “Tripletën” (Ligën, Kupën dhe Champions-in). Megjithatë, pengesa e radhës në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve është gjiganti tjetër evropian: Paris Saint-Germain. /tesheshi.com/


















