Connect with us

Religjion

Leximi i përkthimit të Kur’anit gjatë namazit

Publikuar

Kam vënë re se disa persona në xhematin ku namazi i teravisë falet me hatme, gjatë qëndrimit në këmbë lexojnë nga telefoni përkthimin e faqes që imami po e lexon në atë rekat. A është kjo e saktë?

Përgjigjja:

Allahu i Lartësuar ka thënë: “Kur lexohet Kur’ani, dëgjojeni atë dhe heshtni, që të mëshiroheni.” (El-A’raf, 204). Ekzistojnë shumë transmetime që tregojnë se ky ajet i referohet namazit. Në këtë ajet urdhërohet dëgjimi dhe heshtja: dëgjimi i përket namazeve ku imami lexon me zë, ndërsa heshtja përfshin edhe ato ku ai lexon pa zë.

Thelbi i namazit, qoftë farz apo nafile, qëndron në shprehjen e përulësisë, devotshmërisë dhe përkushtimit ndaj Allahut. Këto gjendje arrihen përmes veprimeve të caktuara trupore dhe mendore, të cilat janë të përcaktuara pikërisht për këtë qëllim. Një prej tyre është edhe dëgjimi i Kur’anit në mënyrën e përmendur.

Leximi i përkthimit të Kur’anit gjatë qëndrimit në këmbë (kijam) nuk e përmbush këtë urdhër. Për më tepër, mbajtja e telefonit, leximi prej tij, vendosja gjatë rukusë dhe marrja sërish pas sexhdes përfshin lëvizje shtesë trupore që nuk janë pjesë e namazit. Sipas medhhebit hanefi, këto konsiderohen lëvizje të tepërta dhe të panevojshme që e prishin formën e rregullt të namazit.

Gjithashtu duhet theksuar se nëse përkthimi lexohet me shqiptim (duke lëvizur gjuhën), qoftë edhe në heshtje, namazi prishet. Kjo sepse, sipas konsensusit të dijetarëve islamë, përkthimi i Kur’anit nuk është vetë Kur’ani, por interpretim i kuptimeve të tij nga përkthyesi. Ndërkohë, obligimi i leximit në namaz (kiraeti) realizohet vetëm me leximin e Kur’anit në gjuhën e tij origjinale.

Nëse përkthimi lexohet pa shqiptim, vetëm në mendje, kjo së paku është e papëlqyer (mekruh), madje ekziston rreziku që namazi të prishet për shkak të veprimeve shoqëruese. Vetë leximi i një teksti gjatë namazit pa shqiptim është i papëlqyer dhe nuk e prish namazin në vetvete, por nëse shoqërohet me lëvizje më të mëdha, atëherë mund ta prishë atë.

Për të gjitha këto arsye, nuk rekomandohet leximi i përkthimit të Kur’anit gjatë kijamit, sepse vihet në pikëpyetje vlefshmëria e namazit.

____________________
Preporod, 1 mars 2026

Prof. dr. Ahmed Purdic (fetvai-emin i Bashkësisë Islame të Bosnjë dhe Hercegovis)

Pershtati ne shqip:
Mehas Alija

(Islampress)