Lajme
Hoxha: Rikthehen pagesat nga IPARD III, hapet rruga për investime të reja në bujqësi

Zëvendësministri i Bujqësisë, Albrim Hoxha, ka njoftuar se Qeveria ka miratuar heqjen e pezullimit dhe rikthimin e pagesave nga Programi IPARD III, duke i hapur rrugë investimeve të reja dhe mbështetjes për fermerët dhe agrobizneset.
Sipas tij, pas një periudhe sfiduese janë realizuar kontrolle të plota dhe janë ndërmarrë masa konkrete për të forcuar transparencën dhe integritetin e programit. Ai theksoi se rasti i parregullsisë i konstatuar është i izoluar dhe nuk ndikon në funksionimin e përgjithshëm të IPARD-it.
Hoxha bëri të ditur se Komisioni Evropian ka vlerësuar përpjekjet e institucioneve vendore dhe ka dhënë dritë jeshile për vazhdimin e programit.
“Mjetet nga IPARD janë sërish të qasshme për bujqit dhe agrobizneset, ndërsa procesi do të zhvillohet me mbikëqyrje më të fortë dhe rregulla më të qarta, për të garantuar përdorimin e përgjegjshëm të fondeve,” theksoi ai.
Në fund, Hoxha nënvizoi se bujqësia mbetet një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik, duke shtuar se institucionet do të vijojnë angazhimin për ndërtimin e një sektori më të fortë dhe konkurrues.


















