OP / ED
Gjuha Shqipe mes të drejtës dhe manipulimit politik në Maqedoninë e Veriut

Nga Ermal Peçi
Nuk mund të rrija pa shkruar për këtë çështje, jo vetëm për ndjeshmërinë që mbart, por edhe për atë që ndjej thellë si pjesë e identitetit tim. Vetëm pak muaj më parë, së bashku me mikun tim Azmer Duleviç, ndërmorëm një akt simbolik që lidhej drejtpërdrejt me këtë identitet: përmes një peticioni, kërkuam që Muzeu i Vjenës të përcaktonte qartë origjinën e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. E kjo u arritë me këmbngulje e vullnet si një fitore e cila për ne fliste shumë që u përcaktua orgjina shqiptare në Muzeun e Vjenës.
Nuk e përmend këtë rast rastësisht. E sjell si dëshmi se lidhja me identitetin nuk është retorikë për mua është organike.
Që në fillim duhet ta themi qartë: gjuha shqipe në provimet e jurisprudencës duhet të jetë e detyrueshme. Kjo nuk është thjesht një kërkesë administrative, por një e drejtë që buron nga Marrëveshja e Ohrit dhe lidhet drejtpërdrejt me dinjitetin dhe identitetin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Studentët shqiptarë e kanë të plotë këtë të drejtë dhe askush nuk mund t’ua mohojë.
Por një gjë është e drejta, dhe një gjë tjetër është përdorimi i saj si instrument politik dhe këtu fillon problemi real.
Për Ali Ahmetin dhe BDI-në kam shkruar edhe më parë, duke njohur kontributin e tyre në luftë por edhe në politik. Madje kam reaguar më ashpër kur kanë dashur ta sulmojnë tek lavdia e tij për qëllime politike , por pas më shumë se 20 vitesh, është e domosdoshme të ndajmë qartë kontributin ushtarak nga përgjegjësia politike. Realiteti në Maqedoninë e Veriut nuk është produkt i një dite — është rezultat i një pushteti të gjatë politik që nuk ka prodhuar zgjidhje.
BDI ka pasur më shumë pushtet se çdo forcë tjetër politike shqiptare. Ka pasur gjashtë ministra të Drejtësisë, një zëvendëskryeministër si Artan Grubi i cili u shpall edhe non grata nga SHBA-ja, dhe madje edhe një kryeministër si Talat Xhaferi. E megjithatë, ky realitet i provimeve të Jurisprudencës për tu dhënë në gjuhën shqipe nuk ka ndryshuar. Kjo nuk është më rastësi, është dështim politik për mos të thënë pafuqi politike. Pse askush nuk flet për këtë fakt, pse askush nuk flet në Tiranë për dështimet e BDI-së dhe grryerrjen që pati kjo parti?
Në vend të një panorame më të plotë se çfarë ndodh realisht në Maqedonin e Veriut, ne sot shohim zhvendosje të vëmendjes. Tirana diplomatike dhe mediatike duket se ka vendosur të gjithë “pushkët politike” kundrejt VLEN dhe Izet Mexhiti, i cili, pavarësisht profilit të tij më të matur, po shfaqet si një figurë politike me peshë në rritje.
Po, Mexhiti dhe VLEN e kanë detyrim politik dhe kombëtar të garantojnë që çdo student shqiptar të japë provimet në gjuhën shqipe. Por në të njëjtën kohë, askush nuk po flet për një fakt tjetër: si është e mundur që në një kohë relativisht të shkurtër, ata arritën të njohin institucione si Medreseja, një realitet që më parë as nuk ekzistonte në mënyrë zyrtare në Maqedoninë e Veriut?
Kjo tregon se ndryshimi është i mundur, por vetëm kur ka vullnet politik real. Prandaj, sot më shumë se kurrë, duhet të bëjmë një ndarje të qartë: mes të drejtës legjitime dhe keqpërdorimit të saj për interesa të ngushta politike. Kur një kauzë e drejtë përdoret si mjet për përfitime pragmatiste, ajo humbet thelbin e saj dhe kthehet në propagandë.
Prandaj, gjuha shqipe meriton shumë më tepër se kaq: meriton dinjitet, sinqeritet dhe mbrojtje të vërtetë. Koha ka treguar se një gjuhë nuk dëmtohet vetëm kur sulmohet, por mbi të gjitha kur përdoret si alibi apo monedhë politike. #SHPËRNDAJENI






















