Connect with us

Lajme

BFI e Maqedonisë në mbështetje të komunitetit shqiptar në Zvicër: Xhamitë janë shtylla të identitetit dhe integrimit

Publikuar

Bashkësia Fetare Islame e RMV-së ka shprehur mbështetjen e saj të plotë për Komunitetin Musliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ) dhe iniciativat e tyre për ndërtimin e xhamive si institucione të qëndrueshme fetare, arsimore dhe kulturore.

Në reagimin e saj, BFI vlerëson se debati i fundit, i shoqëruar me gjuhë stigmatizuese dhe qasje të njëanshme, nuk kontribuon në një analizë serioze, por cenon dinjitetin e komunitetit shqiptar në diasporë. Sipas tyre, liria e shprehjes është vlerë demokratike, por nuk mund të përdoret për të justifikuar diskurs përçmues ndaj besimit dhe institucioneve fetare.

BFI thekson se xhamitë e shqiptarëve në Zvicër janë institucione autentike, të themeluara dhe financuara nga vetë komuniteti. Përveç funksionit fetar, ato shërbejnë edhe si qendra për ruajtjen e gjuhës shqipe, kultivimin e vlerave kulturore dhe edukimin e brezave të rinj.

“Xhamia ka dëshmuar të jetë një nga mekanizmat më efektivë për ruajtjen e identitetit fetar dhe kombëtar në diasporë”, thuhet në reagim, duke shtuar se këto institucione kontribuojnë edhe në arsim dhe mirëqenie shoqërore përmes aktiviteteve edukative dhe angazhimit publik.

Po ashtu, theksohet se xhamitë frekuentohen nga besimtarë të profileve të ndryshme, përfshirë intelektualë dhe profesionistë, të cilët janë aktivë në shoqëritë ku jetojnë.

Në fund, Bashkësia Fetare Islame e RMV-së vlerëson solidaritetin dhe pjekurinë institucionale të mërgatës shqiptare dhe bën thirrje për qasje të përgjegjshme, të bazuar në fakte dhe respekt të ndërsjellë, duke refuzuar paragjykimet dhe përçarjet.

Sipas tyre, ruajtja e identitetit fetar, kombëtar dhe kulturor nuk bie ndesh me integrimin, por përbën një bazë të fortë për një integrim të shëndetshëm dhe dinjitoz në shoqëritë moderne.

NA NDIQ NË FACEBOOK