Lajme
Volkswagen dhe biznesi i gjakut!

Volkswagen AG, gjiganti gjerman që dikur shërbeu si shtylla kurrizore e industrisë së luftës të Adolf Hitlerit, po tenton të bëjë një tjetër kthesë rrëqethëse në historinë e tij.
Kompania ka hyrë në bisedime të avancuara me Rafael Advanced Defense Systems të Izraelit për ta shndërruar uzinën e saj në Osnabrück në një qendër prodhimi për pjesët e sistemit mbrojtës anti-raketor “Iron Dome” (Kupola e Hekurt).
Ky hap po shihet me skepticizëm dhe është pritur me kritika, duke u konsideruar si një vazhdimësi e errët e një kompanie që fitimin e ka gjetur gjithmonë te mjetet e shkatërrimit.
Për shumë vëzhgues, ky bashkëpunim është një provokim i pastër historik pasi Volkswagen nuk është thjesht një prodhues makinash. Kompania u themelua në vitin 1937 si një projekt personal i diktatorit nazist për të prodhuar “makinën e popullit”.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, VW ishte simboli i makinerisë naziste ku fabrikat e saj u kthyen në ferrin e mbi 15.000 punëtorëve në skllavëri, të rrëmbyer nga kampet e përqendrimit për të prodhuar automjete ushtarake si Kübelëagen dhe municione për Wehrmacht-in.
Sot, vendimi për të prodhuar njësi lëshimi, automjete transporti të rënda dhe gjeneratorë për regjimin sionist në Tel Aviv, ngre pikëpyetje të rënda etike mbi moralin e kompanisë.
Kritikët argumentojnë se Volkswagen po kalon nga shërbimi ndaj një regjimi gjenocidal në të kaluarën, drejt furnizimit të një makinerie tjetër ushtarake që akuzohet botërisht për krime lufte dhe shtypje sistematike ndaj popullatës civile.
Fabrika në Osnabrück, me 2.300 punëtorë, po përdoret si pretekst ekonomik për të justifikuar këtë aleancë ushtarake. Ndërkohë aktivistët e të drejtave të njeriut e shohin këtë si një dorëzim moral të turpshëm.
Duke u bërë pjesë e zinxhirit të prodhimit të Kupolës së Hekurt, Volkswagen po lidh fatin e tij ekonomik me vazhdimësinë e konfliktit të përgjakshëm në Lindjen e Mesme.
Ndonëse autoritetet gjermane e mbështesin këtë në emër të autonomisë strategjike të Evropës, hipokrizia mbetet e zëshme: si mundet një kompani me një të kaluar kaq të përgjakshme naziste të rreshtohet krah një regjimi që ndjek politika të ngjashme të dëbimit dhe militarizimit ekstrem?
Nëse prodhimi fillon brenda 12-18 muajve të ardhshëm, sikurse është parashikuar, Volkswagen do të vulosë përfundimisht identitetin e tij si një entitet që lulëzon nën tymin e luftës. Përtej retorikës së biznesit, ky hap tregon se edhe pas një shekulli, pak gjëra kanë ndryshuar në bërthamën e kompanisë.
Nga prodhimi i automjeteve për pushtimet e Hitlerit deri te mbështetja teknike për regjimin sionist, Volkswagen mbetet i burgosur në ciklin e tij të vjetër të shndërrimit të inxhinierisë në një mjet për dominim ushtarak, duke shkelur mbi çdo parim njerëzor për hir të kontratave miliarda dollarëshe. /tesheshi.com/





















