Ndryshe
Veprat e vjedhura, “kartëmonedhat” e reja të mafias

Vjedhja e fundit e tre pikturave të mjeshtrave Renoir, Cézanne dhe Matisse nga muzeu i Fondacionit “Magnani Rocca” në Parma, Itali, ka rikthyer vëmendjen te një industri kriminale globale, e cila renditet si burimi i tretë më i madh i të ardhurave për organizatat ilegale, menjëherë pas trafikimit të drogës dhe armëve.
Sipas Shoqatës për Kërkime mbi Krimet kundër Artit, veprat e famshme përfundojnë rrallë në duart e koleksionistëve privatë, siç sugjerohet shpesh nëpër filma. Në realitet, ato shndërrohen në monedha të vlefshme këmbimi brenda botës së krimit.
Pikturat e vjedhura përdoren si kolateral ose shënime premtimi në shkëmbimin e dërgesave të mëdha të narkotikëve apo armëve midis klaneve mafioze. Detektivët e specializuar, e krahasojnë një vepër arti të vjedhur me një kartëmonedhë me vlerë të madhe.
Për shkak se janë më të vështira për t’u gjurmuar sesa lëvizjet bankare apo shumat e mëdha kesh, ato lehtësojnë transaksionet midis grupeve kriminale, të cilat i integrojnë këto pasuri në ato që njihen si muze mafioze.
Arsyeja pse këto vepra zhduken shpesh për dekada është vështirësia ekstreme e rishitjes së tyre. Vlera e një pikture, varet tërësisht nga dokumentacioni që vërteton origjinën dhe historinë e saj.
Pa këto letra, të cilat sot janë të vështira për t’u falsifikuar për shkak të bazave të dhënave dixhitale të Interpolit, vepra është praktikisht e pashitshme në tregun legal. Kjo i detyron hajdutët të ndjekin dy rrugë kryesore.
E para janë marrëveshjet private, që nisin me negocimin e një shpërblimi me pronarët origjinalë ose kompanitë e sigurimeve pa përfshirë forcave të rendit.
E dyta është negocimi i dënimit penal, ku informacioni mbi vendndodhjen e veprave përdoret nga të burgosurit për të përfituar ulje dënimi. Një rast i njohur është ai i trafikantit Raffaele Imperiale, i cili dorëzoi dy piktura të Vincent Van Gogh të vjedhura në Amsterdam në këmbim të bashkëpunimit me drejtësinë.
Vjedhja në Parma zgjati vetëm tre minuta, ndërsa ajo në Luvër para pak muajsh, ku u vodhën bizhuteritë e Napoleonit të Tretë me vlerë rreth tetëdhjetë e tetë milionë euro, nxori në pah dobësitë e sistemeve të mbrojtjes edhe në muzetë më të rëndësishëm.
Historia tregon se shumë prej këtyre thesareve mund të mos gjenden kurrë. Nga trembëdhjetë pikturat e vjedhura në muzeun “Isabella Stewart Gardner” në vitin 1990, me vlerë pesëqind milionë dollarë, e deri te kryevepra e Caravaggio-s e vjedhur në Palermo në vitin 1969, fati i tyre mbetet i paqartë.
Ato ose shkatërrohen gjatë transportit, ose mbeten të fshehura në bodrumet e krimit si simbole të pastra të pushtetit. /tesheshi.com/






















