Lajme
Sabriu: Fuqizimi i grave nënkupton fuqizim të gjithë shoqërisë

Sekretari shtetëror në Ministrinë për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Fatmir Sabriu, mori pjesë në një aktivitet të organizuar me rastin e shënimit të 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, i cili u mbajt në bashkëpunim me Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup dhe Kombet e Bashkuara në Maqedoninë e Veriut.
Sabriu në fjalimin e tij theksoi se fuqizimi i grave është një element kyç për zhvillimin e shoqërisë, duke nënvizuar se përparimi në këtë drejtim ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e përgjithshme shoqërore.
Ai theksoi se institucionet kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm në luftën kundër dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, përmes përforcimit të legjislacionit dhe përgatitjes së strategjive të reja që synojnë mbrojtjen e viktimave dhe parandalimin e rasteve të dhunës.
“Gjithashtu është shumë e rëndësishme fuqizimi i grave të reja dhe mbështetja e lidershipit të tyre në shoqëri”, theksoi Sabriu.
Ai shtoi se, përveç ligjeve dhe institucioneve, ndryshimi i vërtetë kërkon edhe angazhimin dhe përgjegjësinë e secilit qytetar për të ndërtuar një shoqëri më të barabartë dhe më të sigurt për gratë.















