Connect with us

Lajme

Sa parti politike dolën nga PDSH-ja?

Publikuar

Nga Partia Demokratike Shqiptare, partia më e vjetër akoma aktive në skenën politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut, kanë dalë një numër i madh i partive politike në 20 vitet e fundit.

Dikur parti qeverisëse dhe faktor kyç nën udhëheqjen e Arbën Xhaferit, sot elektorati tradicional i PDSH-së është i përçarë dhe shpërndarë nëpër parti dhe fraksione të ndryshme, thuajse secila me fraksione edhe brenda vetes.

Sa parti konkretisht dolën nga PDSH-ja?

Demokracia e Re e Imer Selmanit

Kjo parti u krijua në vitin 2008 nga Imer Selmani, figurë kyçe në PDSH dhe ish-ministër i shëndetësisë nga kjo parti.

Imer Selmani garoi për president në vitin 2009 dhe arriti befasinë me numrin e votave të grumbulluara, mbi 147 mijë vota.

Megjithatë, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2011, DR-ja e tij nuk mori asnjë deputet dhe Imer Selmani dha dorëheqje nga pozita kryetar partie.

Rilindja Demokratike Kombëtare e Rufi Osmanit

U formua në vitin 2011 nga një fraksion i udhëhequr nga Rufi Osmani.

RDK u paraqit si një alternativë e re politike për shqiptarët dhe për një kohë të shkurtër u konsolida si forca e tretë politike.

Por, rezultatet e dobëta zgjedhore çuan në dorëheqjen e Rufi Osmanit, ndërsa pas tij RDK-ja u përça. Një pjesë iu bashkua koalicionit Aleanca për Shqiptarët që më vonë u shndërrua në parti, ndërsa një pjesë tjetër iu bashkua Lëvizjes Besa.

LR PDSH e Ziadin Selës

Në vitin 2016, një grup brenda PDSH-së shpalli lëvizjen reformuese kundër udhëheqjes së partisë. Kjo lëvizje u drejtua nga Ziadin Sela, i cili krijoi bazën për një subjekt të ri politik.

Aleanca për Shqiptarët dhe fraksionet e saj

LR PDSH u bashkua me Unitetin dhe një pjesë të RDK-së për ta formuar Aleancën për Shqiptarët, fillimisht si koalicion e më pas si parti.

Megjithatë, ASH-ja u përball me përçarje të njëpasnjëshme që po vazhdojnë edhe sot.

Një fraksion i ASH-së udhëhiqet nga Ziadin Sela, një tjetër nga Arben Taravari, ASH-ja brenda VLEN-it udhëhiqet nga Arben Fetai, ndërsa së fundmi Ilir Demiri paraqitet si përfaqësues i këtij fraksioni, me mbështetje nga deputetët dhe një pjesë e funksionarëve.

Lëvizja Arbëria e Bekim Fazliut

Disa ish-deputetë të PDSH-së, Bekim Fazliu, Orhan Ibrahimi, Merale Ferati dhe Gazmend Aliu, formuan Lëvizjen Arbëria para zgjedhjeve lokale të vitit 2025. Arbëria iu bashkua VLEN-it si subjekt jotipik, pa lider por me Këshill Drejtues.

Pra, në 15 vitet e fundit të paktën 5 parti ose lëvizje dolën nga PDSH-ja. Nëse i numërojmë edhe 4 fraksionet që thirren në emër të Aleancës për Shqiptarët, ky numër shkon në 8 fraksione gjithsej.

Ndërkohë logon dhe vulat e PDSH-së vazhdon t’i mbajë Menduh Thaçi, i cili së fundmi u largua nga koalicioni me BDI-në dhe nuk mori pjesë në zgjedhjet lokale./VOXAL/

NA NDIQ NË FACEBOOK