Lajme
Presidenti dhe “sindroma e 12-vjeçarit”…

Presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk vuan thjesht nga narcisizmi, por nga një formë e theksuar e solipsizmit, e njohur ndryshe si “sindroma e dymbëdhjetëvjeçarit”, e cila e bën atë ta filtrojë të gjithë realitetin vetëm përmes “unit” të tij.
Në këtë përfundim mbërrin psikiatri i njohur italian Claudio Mencacci, bashkëkryetar i Shoqatës Italiane të Neuropsikofarmakologjisë dhe drejtor emërit i Neuroshkencës në spitalin Fatebenefratelli-Sacco të Milanos, në një intervistë dhënë për “Corriere della Sera”, ku analizon sjelljet autoritare dhe mungesën e filtrave në gjuhën publike të liderit amerikan.
Sipas Mencacci-t, ky lloj lidershipi e shndërron politikën në një autobiografi të përhershme, ku institucionet dhe kundërshtarët nuk shihen si bashkëbisedues, por si armiq që duhen delegjitimuar.
A ka Donald Trump një çrregullim narcisist të personalitetit apo sillet si një 12-vjeçar i llastuar?
Po e filloj përgjigjen me parimin se psikiatërve u ndalohet të bëjnë diagnoza për personazhe publikë pa i ekzaminuar ata drejtpërdrejt. Thënë kjo, sjelljet e Trump mund t’i mvishen një koncepti filozofik: solipsizmit.
Çfarë do të thotë? Dhe cili është ndryshimi nga çrregullimi narcisist i personalitetit? Për
solipsistin, pika e vetme e referimit është vetvetja. Ai e filtron realitetin përmes “unit” të tij. Ai nuk shtiret sikur ka interes për të tjerët siç bën një narcisist, i cili tenton të joshë dhe të pëlqehet. Kështu shpjegohen edhe pohimet si “Vetëm unë mund ta zgjidh” ose “Askush nuk di më shumë se unë”. Kjo bën që politika të kthehet në një lloj autobiografie të përhershme.
Që do të thotë?
Ndonjëherë nuk kuptohet mirë se cili është realiteti, pasi jemi dëshmitarë të zëvendësimit të së vërtetës me atë që është emocionalisht e besueshme. Institucionet dhe kundërshtarët nuk janë bashkëbisedues, por pengesa ose madje armiq. Ata delegjitimohen dhe madje tallen.
Kjo që po shohim te Trump është politika e hiper-personalizimit në një epokë ku ka një krizë të fortë të lidhjeve sociale. Mjerisht kjo sjellje nuk i përket vetëm presidentit të SHBA-së, por po bëhet një zakon tek ata që menaxhojnë pushtetin. Është një lloj psikologjie e lidershipit bashkëkohor.
Pra, mbizotëron logjika ”të mirët” ose “të këqinjtë”, “miqtë” ose “armiqtë”?
E saktë. Dhe e gjitha kjo në dukje gjeneron thjeshtime, por ne e dimë që në marrëdhëniet njerëzore thjeshtimet nuk funksionojnë dhe aq shumë.
Si shpjegohet që Trumpit ia bëjnë qejfin (ia tolerojnë) tekat siç bëhet me fëmijët?
Ky është varianti më dashamirës; në realitet bëhet fjalë për sjellje autoritare, në disa raste të tepruara, dhe gjithashtu të vështira për t’u klasifikuar. Kjo gjë sjell disorientim. Ndoshta, duke menduar se është një 12-vjeçar, nga njëra anë ka shumë tolerancë, por nga ana tjetër mungon ajo ndjenjë përgjegjësie që do të pritej nga një adoleshent në rritje.
Kolegët tuaj amerikanë kanë hedhur hipotezën se mungesa e filtrave në gjuhë dhe në sjelljet publike mund të sugjerojë një mosfunksionim të lobeve frontale. A mund të jetë e lidhur kjo me forma të demencës?
Në moshë të thyer mund të ketë shenja që herë pas here lidhen me frikën e një deficiti kognitiv të mundshëm të tipit organik. Por gjithsesi, këto mbeten hipoteza teorike dhe jo diagnoza mjekësore. /tesheshi.com/



















