Lajme
Porto Romano dhe fundi i lojës me “shumë porta”

Anulimi i tenderit 400 milionë euro për portin e ri tregtar në Porto Romano shkon përtej justifikimeve teknike për “rritje kostosh” të ofruara nga Ministria e Infrastrukturës. Ky dështim, shënon një moment reflektimi për stilin e qeverisjes së Edi Ramës, i cili ngjashëm me liderë të tjerë të rajonit si Aleksandër Vuçiç, ka aplikuar prej vitesh një diplomaci transaksionale të njohur si “loja me shumë porta”.
Kjo qasje, ku partneritetet strategjike shihen si mundësi për marrëveshje biznesi dhe ku ekuilibri mes fuqive globale përdoret si mjet presioni, duket se ka ndeshur në murin e parë serioz.
Projekti i Porto Romanos, i parashikuar si një nyje me rëndësi kritike, u shndërrua në një fushë ku ambicia për kontroll absolut mbi tenderat, u përplas me kompleksitetin e sigurisë ndërkombëtare.
Problematika nuk qëndron vetëm te dyshimet për lidhjet e kompanisë “Archirodon” me struktura offshore në Qipro apo individë të lidhur me kapitalin rus. Por te bindja e liderëve me prirje autoritare se mund të diktojnë rregullat e lojës në një treg global gjithnjë e më të monitoruar.
Kur një garë ndërkombëtare tkurret deri në pikën ku mbetet vetëm një ofertues i diskutueshëm, legjitimiteti i projektit bie, pavarësisht retorikës politike për “xhelozi” apo “sabotime”.
Nervozizmi i shfaqur nga kryeministri Edi Rama pak ditë para anulimit të tenderit, tradhtoi një të vërtetë të hidhur: loja me shumë porta, ka kufizime të qarta kur bëhet fjalë për infrastrukturën kritike.
Në këtë nivel, interesat strategjike të blloqeve të mëdha, qofshin ato amerikane apo evropiane, nuk mund të anashkalohen përmes “sharmit” diplomatik apo lëshimeve ekonomike sipërfaqësore.
Nëse modeli transaksional i qeverisjes synon t’i shesë partneritetet si të barabarta, realiteti i Porto Romanos dëshmon se pesha e vendimmarrjes nuk qëndron në Tiranë. Ndërhyrja e Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe kërkesa për shtyrje të tenderit, janë tregues se as qasja “pragmatiste” e stilit Trump nuk i jep dritë jeshile hyrjes në Shqipëri të çdo lloj kapitali që rrezikon stabilitetin e rajonit.
Sekuestrimi i dokumenteve nga BKH dhe hetimet e SPAK-ut mbi zyrtarët e lartë, vetëm sa e përforcojnë ndjesinë se kjo strategji e mbështetur te mungesa e transparencës po konsumohet.
Porto Romano nuk dështoi nga “komplotet”, por nga pamundësia për të mbajtur hapur të gjitha portat në të njëjtën kohë. Ky është një leksion për çdo udhëheqës që beson se autoriteti i brendshëm, mund të përkthehet automatikisht në imunitet ndaj rregullave të lojës ndërkombëtare. /tesheshi.com/



















