Connect with us

Religjion

PËRVEÇ PEJGAMBERIT DHE SHOKËVE TË TIJ, EDHE NE JEMI NË BEDËR

Publikuar

Është dita e 16 e Ramazanit. Sonte është nata e Bedrit. Në vitin e dytë hixhri, më 17 Ramazan, mushrikët u nisën për t’i asgjësuar muslimanët, për t’ia pamundësuar Islamit ekzistencën dhe përhapjen. Deshën që për të gjitha kohët ta pengonin njeriun t’i bënte sexhde Zotit të botëve. Me vullnetin dhe ndihmën e Zotit, kjo nuk ndodhi. Edhe pse të paktë në numër dhe të armatosur dobët në raport me armikun, me ndihmën e Zotit, muslimanët korrën fitoren.

Duke qenë se kemi mësuar për të që në mekteb, nuk dëshiroj të flas për rrjedhën e betejës, përgatitjet, numrin e luftëtarëve apo detaje të tjera. Këtë datë të rëndësishme e shënojmë dhe këtë ngjarje të jashtëzakonshme e kujtojmë që prej saj të nxjerrim mësim, të përkujtohemi, ta nxisim veten për punë të mira dhe ta forcojmë hapin tonë në rrugën e drejtë.

Mesazhet e Bedrit janë të shumta. Ndër to edhe ky: se një grup i vogël mund të mposhtë një grup të madh dhe se cilësia shpesh është më e rëndësishme se sasia; se rëndësi ka harmonia dhe bashkimi siç treguan këtu muhaxhirët dhe ensarët; se duhet këshilluar dhe vlerësuar mendimi i ekspertëve, i atyre që dinë, ashtu siç veproi Pejgamberi (a.s.) me rastin e rreshtimit të ushtrisë së tij; se në çdo punë duhet bërë gjithçka që është në dorën tonë e pastaj t’i drejtohemi me dua Allahut  të Plotfuqishëm, ashtu siç bëri Pejgamberi (a.s.).

Mirëpo, një mesazh duket se jehon më fuqishëm nga fusha e Bedrit: se përkundër vështirësisë dhe rëndësisë së kësaj beteje, ajo ishte megjithatë një “betejë e vogël” në krahasim me ato që i presin muslimanët, si komunitet dhe si individë. Prej 14 shekujsh, mesazhi i Bedrit thotë se beteja nuk përfundoi në atë 17 Ramazan, por ajo vazhdon dhe do të zgjasë deri në Ditën e Gjykimit, sepse lufta me vetveten, me dëshirat dhe me epshet, nuk ka fund.

Nuk ka rastësi në krijimin dhe rregullimin e gjithësisë nga Zoti, ndaj nuk është rastësi që Beteja e Bedrit u vendos në dhjetëditëshin e dytë të Ramazanit – në Magfiret (falje) – aty ku hapet mundësia për t’u çliruar nga mëkatet, për ta merituar faljen dhe, përmes mesazheve që jehojnë nga fusha e Bedrit, ta forcojmë vetveten që të mos u kthehemi më mëkateve; pra, ta fitojmë betejën me vetveten.

Secili prej nesh, që nga mosha e pjekurisë, është në “Bedrin” e vet, duke u përpjekur dhe luftuar vazhdimisht që e mira të triumfojë mbi mëkatin dhe që me sjelljen e tij ta dëshmojë besimin. Pse ky Bedri ynë është më i vështirë se ai i vitit të dytë hixhri? Sepse ky armiku ynë, shejtani, kurrë nuk e lëshon fushëbetejën, nuk lodhet dhe i përdor pandërprerë të gjitha mjetet dhe metodat për të na mposhtur dhe për të na larguar nga rruga e drejtë.

Shejtani përpiqet të na bëjë të shurdhër ndaj thirrjes për shpëtim. Kështu, shumë njerëz, edhe pse e dëgjojnë, në fakt nuk e dëgjojnë thirrjen “hajje alel-felah” (ejani në shpëtim). Ja, këtu është Bedri yt! Ai përpiqet të na frikësojë me varfëri dhe skamje, që të na mposhtë lakmia dhe që nga pasuria jonë të mos japim as zekat, as sadaka, as vakëf, dhe as me ato mirësi që na janë dhuruar të mos bëjmë asgjë për amshimin tonë. Ja, këtu është Bedri yt! Nuk është e lehtë, por lufta ia vlen. Lufto kundër lakmisë dhe koprracisë; lufto që pasurinë tënde ta ruajë Allahu i Madhëruar, dhe që ty të të ruajë pasuria jote, sadakaja dhe zekati yt.

Shejtani na mbjell zili në zemra, me të cilën ngarkohemi dhe për shkak të së cilës jemi fatkeqë, e gjithë kjo vetëm që shejtani të jetë i lumtur. Zilia, në esencë, është mos pranimi i të mirës tek tjetri. Kur e pranojmë atë të mirë te tjetri, ajo atëherë bëhet frymëzim për ne, dhe kjo është pikërisht ajo që pritet prej nesh si besimtarë – të garojmë në punë të mira. Ja, këtu është Bedri ynë: ta mposhtim veten dhe zilinë ta kthejmë në frymëzim.

Ai na vendos urrejtjen në zemra. Allahu i Madhëruar i krijoi njerëzit të ndryshëm, me prirje dhe aftësi të ndryshme. Po çfarë urrejmë ne në të vërtetë, kur urrejmë? Ne i urrejmë njerëzit ashtu siç janë. A nuk është kjo e pakuptimtë? Kur i pranojmë njerëzit ashtu siç janë, atëherë urrejtja kthehet në dashuri. Ja, këtu është Bedri ynë: ta kthejmë urrejtjen në dashuri. Ky mesazh mund dhe duhet t’u dërgohet të gjithë njerëzve, jo vetëm atyre që e trashëgojnë Bedrin si traditë të tyre. Të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për absurditetin e urrejtjes ndaj tjetrit, sepse po të donte Allahu, të gjithë njerëzit mund të ishin të njëjtë dhe të një feje.

Në Bedr ishte lufta e ushtrive: nga njëra anë 1000, nga ana tjetër 300. Të dyja palët luftonin të bashkuara kundër armikut. Në këtë kuptim, Bedri na thotë se edhe ne si shoqëri kemi beteja të pandërprera, sepse nga ajo fushëbetejë jehon mesazhi se beteja nuk ka përfunduar dhe nuk do të përfundojë kurrë; se na presin beteja edhe më të rënda dhe më të mëdha, pa të cilat nuk mund të arrihet mirëqenia dhe shoqëria nuk mund t’u ofrojë të gjithë anëtarëve të saj siguri dhe lumturi.

Kanë kaluar 1402 vjet që kur luftëtarët u larguan nga Bedri: fituesit u kthyen në Medinë, kurse të mundurit shkuan në Mekë. Vetëm 8 vjet pas kthimit, përsëri në Ramazan, falë faktit se muslimanët ishin në luftë të vazhdueshme me vetveten, duke e fisnikëruar dhe ndërtuar vetveten dhe shoqërinë, ata me atë mirësi që kishin në jetën e tyre e çliruan Mekën dhe në të sollën dritën e së Vërtetës dhe lirinë.

Kanë kaluar 31 vjet që kur ushtritë janë tërhequr nga pozicionet (në Bosnje). Por ashtu siç nuk pati fund beteja e Bedrit, ashtu edhe me përfundimin e këtyre betejave nëpër malet dhe luginat tona, beteja nuk ka mbaruar. Duhej të vazhdonin betejat me vetveten; nuk duhej lejuar që në shoqëri të mbretëronte padrejtësia, pabesia, të përhapej korrupsioni dhe njerëzit t’i kaplonte mungesa e perspektivës. Shejtani na priu, ne ramë në kurthin e tij dhe, shoqërinë, vendin tonë, atdheun e dashur, e sollëm në gjendje të palakmueshme. Ja, Bedri ynë është këtu! Të gjithë duhet, në fakt jemi të obliguar, që t’i kundërvihemi çdo gjëje që na largon nga përparimi, siguria dhe lumturia.

Pejgamberi (a.s.), pasi mbërriti në Bedër me as’habët, bëri gjithçka që ishte në fuqinë e tyre. I mbushi puset, e nxori ujin në anën e tij duke marrë përparësi strategjike, i fortifikoi pozicionet, i përgatiti ushtarët duke i pajisur dhe armatosur, dhe pastaj – vetëm atëherë – thirri me dëshpërim: “O Zot, na ndihmo, sepse nëse nuk na ndihmon, askush nuk do të të bëjë sexhde mbi Tokë!”

Ne nuk kemi çfarë dhe kë të presim. Obligimi ynë është që t’i kundërvihemi të keqes, sepse në këtë betejë që vazhdon prej 30 vjetësh, do të fitojë ai që e mposht vetveten dhe tek i cili triumfon e mira. Një dijetar me famë botërore thotë: “Bota është një vend i rrezikshëm për të jetuar, jo për shkak të njerëzve që bëjnë keq, por për shkak të njerëzve që rrinë ulur, lejojnë që kjo të ndodhë dhe nuk bëjnë asgjë për mirëqenien e botës.”

Nëse dëshirojmë që këtu të thirret ezani dhe të bëhet sexhde, që të jetojmë të lumtur, para lutjes drejtuar Krijuesit, le të bëjmë gjithçka që është në mundësinë tonë për promovimin e së mirës, dhe kur diçka është e mundur, ajo edhe bëhet obligim.

O Allahu i Madhëruar, na ndihmo! Amin!

Hatib: Izet ef. Čamdžić

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK