Lajme
Një vetëkritikë redaksionale: tejkalim etik që avokat Cakrani të quhet islamofob

Në një vetëkritikë ndaj kritikës ndaj avokatit Kujtim Cakrani, ka një nxitim redaksional për ta etiketuar si “islamofobi” një reagim të mllefosur nga ana e tij ndaj masës së besimtarëve të tubuar në Sheshin Skënderbej për faljen e Fiter Bajramit.
Realisht, z. Cakrani nuk është njohur ndonjëherë për gjuhë të shfrenuar ndaj Islamit apo muslimanëve. Temparamenti i tij prodhon irracionalete pa fund në logjikë apo gjykime, jo vetëm për rastin në fjalë kur iu atribuon muslimanëve, nën mllef të tepërt, mbështetje të pretenduar për qeverinë, por dhe në qasje të natyrave të tjera, përgjithësisht politike dhe juridike. Por islamofob është e tepërt ta quash, ndaj dhe redaksia e tesheshi.com bën një tërheqje etike ndaj këtij etiketimi ndaj tij edhe me ndjesën përkatëse.
Pos kësaj, kohë më parë ai dhe ka frekuentuar një ndër xhamitë e Vlorës, aty ku kalon një pjesë të ditës si banor i rregullt në këtë qytet, që do të thotë se ndoshta në zemrën e tij është një musliman i mirë në terma besimi në Zot, paçka ceneve etike si pasojë e një natyre të parrehatshme dhe plot nerv.
Ne e ftojmë që ai të avancojë në jetë besimore, pasi me gjasë aty do të gjejë dhe ekuilibrat e duhur shpirtërorë e mentalë, si dhe arsyetimet e qashtërta mbi realitete të caktuara që i sheh dhe gjykon nga distanca.
P.S. Gjithsesi, shkrimin kritik ndaj tij po e lëmë të publikuar, si të domosdoshëm për potencimin e vetëkritikës sonë redaksionale, pasi duhen lexuar te dyja. Etikisht konsiderohet e hequr, praktikisht jo.





















