Lajme
Neziri: Unifikimi I VLEN-it, hap i duhur, madje i vonuar!

Unifikimi i koalicionit VLEN në një parti politike shihet si një hap i domosdoshëm për konsolidimin e skenës politike shqiptare, por sfidat për funksionimin e tij mbeten serioze. Kështu vlerëson analisti Xhelal Neziri, në emisionin ZOOM në RTM2, ku theksoi se procesi duhet të shoqërohet me ndërtimin e një strukture të qartë partiake dhe vendimmarrje më efikase. Sipas tij, edhe pse bashkimi në një subjekt të vetëm është pozitiv, ekziston rreziku që brenda tij të vazhdojnë të funksionojnë grupime të ndara, duke ruajtur strukturat e mëparshme partiake.
“Është hap i mirë që fillimisht të unifikohet VLEN-i dhe të strukturohet si parti. Por jo të funksionojnë bashkë formalisht, ndërkohë që secili ruan grupet e veta brenda. Ata duhet të punojnë si një parti e vetme, me strukturë dhe hierarki të qartë”, deklaroi Neziri në emisionin ZOOM në RTMV2.
Ai paralajmëroi se një model i bazuar në konsensus të plotë mund ta bëjë subjektin jofunksional, sidomos në situata kur kërkohen vendime të shpejta politike.
“Nuk duhet të krijohet situatë kur për një vendim urgjent nuk mund të mblidhet presidenca, apo një kundërshtim i vetëm bllokon gjithë procesin. Kjo do ta bënte partinë joefikase dhe jokonkurruese në skenë”, shtoi ai.
Në këtë kontekst, analisti Neziri nënvizoi se për të qenë konkurrues, VLEN-i duhet të tejkalojë logjikën e grupeve të brendshme dhe të funksionojë si një trup i vetëm politik, me vendimmarrje të shpejtë dhe të koordinuar.


















