Lajme
Mot i paqëndrueshëm me reshje shiu dhe ulje temperaturash, në male pritet borë

Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe me reshje të herëpashershme lokale shiu. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare, kryesisht nga drejtimi verilindor. Temperaturat minimale do të lëvizin nga -1 deri në 5 gradë, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 10 deri në 15 gradë, njofton Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike.
Në Shkup, moti do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe me kushte për reshje të përkohshme shiu. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të zbresë në 4 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë deri në 13 gradë.
Nën ndikimin e aktivitetit ciklonik, nga sot deri të premten priten reshje të herëpashershme shiu, ndërsa në zonat malore reshje bore. Për shkak të rënies së temperaturave, reshjet e shiut do të kalojnë në borë edhe në disa vende më të larta. Reshje më të dendura priten nesër dhe pasnesër, ku në disa zona sasia e reshjeve mund të kalojë mbi 50 litra për metër katror. Do të fryjë erë mesatare, ndërsa të mërkurën e përforcuar nga verilindja. Gjatë fundjavës pritet stabilizim i motit me rritje të temperaturave ditore.















