Connect with us

Lajme

Ministri Durmishi nga Tetova: Ligji i ri sjell fleksibilitet për bizneset dhe siguri për punëtorët

Publikuar

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, nga Tetova prezantoi përfitimet e Ligjit për Angazhimin me Punë të Personave, duke theksuar se bëhet fjalë për një reformë që synon formalizimin e ekonomisë dhe krijimin e kushteve më të favorshme për bizneset dhe punëtorët.

Në prani të Kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilal Kasami, përfaqësuesve të sektorit privat, hotelierëve, bujqve dhe partnerëve ndërkombëtarë si GIZ, ministri Durmishi theksoi se ligji ofron zgjidhje praktike dhe të zbatueshme për nevojat reale të ekonomisë lokale.

“Ekonomia formale duhet të jetë më e lehtë dhe më e qëndrueshme se ajo joformale. Me këtë ligj krijojmë balancë, fleksibilitet për biznesin, siguri për punëtorin dhe rend për shtetin”, deklaroi ministri Durmishi.

Sipas tij, në sektorin e hotelierisë mundësohet angazhim i thjeshtuar dhe legal i stafit sezonal, ndërsa bizneset në periudha me vëllim të rritur pune mund të angazhojnë deri në 10 persona ose deri në 10% të numrit të përgjithshëm të të punësuarve përmes një procedure të shpejtë dhe elektronike.

Ligji gjithashtu parashikon angazhim sezonal deri në 180 ditë në vit në sektorët e bujqësisë, pylltarisë dhe peshkimit – një mbështetje e rëndësishme për rajone si Rajoni i Pollogut. Për herë të parë, rregullohet edhe angazhimi legal në veprimtaritë e amvisërive, përfshirë përkujdesjen për fëmijë dhe të moshuar.

Ministri Durmishi theksoi se ligji garanton të ardhura legale dhe kontribute të paguara për punëtorët, përfshirë sigurimin pensional dhe invalidor, si dhe mbrojtje në rast lëndimi në punë. Njëkohësisht, janë vendosur mekanizma të qartë mbikëqyrës për të parandaluar abuzimet dhe për të siguruar që kjo formë angazhimi të mos zëvendësojë punësimin e rregullt.

“Qëllimi ynë është të krijojmë mundësi reale për të rinjtë, për studentët, për pensionistët dhe për të gjithë ata që duan të punojnë në mënyrë legale, pa humbur të drejtat e tyre”, u shpreh Durmishi.

Ai shtoi se Ministria do të vazhdojë me dialog të drejtpërdrejtë me bizneset dhe komunitetin lokal, me synim nxitjen e rritjes ekonomike, punësimit dhe forcimin e ekonomisë formale në Tetovë dhe në të gjithë vendin.

NA NDIQ NË FACEBOOK