Lajme
Mexhiti: Fusha ndihmëse e FC Shkupi – investim i rëndësishëm për zhvillimin e sportit në Çair

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, sonte promovoi fushën ndihmëse të ndërtuar në stadiumin e FC Shkupi, një investim i realizuar tërësisht nga buxheti i Komunës së Çairit, që krijon kushte moderne për stërvitje dhe zhvillimin e futbollit.
Fusha është ndërtuar në një sipërfaqe prej rreth 3500 m² dhe është e pajisur me bar artificial sipas standardeve bashkëkohore, sistem drenazhi dhe ndriçim të plotë, duke mundësuar përdorimin e saj gjatë gjithë vitit për stërvitje dhe aktivitete sportive.
“Sporti ka nevojë për infrastrukturë cilësore dhe për mbështetje konkrete. Kjo fushë ndihmëse krijon kushte më të mira për të rinjtë dhe për zhvillimin e futbollit në Çair, duke forcuar traditën sportive të këtij qyteti,” theksoi Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Me këtë rast, Mexhiti shprehu mirënjohje edhe për ish-kryetarin e Komunës së Çairit, Visar Ganiu, si dhe për Presidentin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Masar Omeragić, të cilët nisën këtë projekt.
Ky investim hap më shumë mundësi për të rinjtë dhe për sportin në përgjithësi, duke krijuar kushte më serioze për zhvillimin e talenteve dhe aktiviteteve sportive në komunë.
















