Connect with us

Lajme

Manifestim “Kurora e Lirisë” për nder të familjes Jashari në Zvicër, pjesëmarrës edhe deputeti Adnan Azizi

Publikuar

Sot (14 mars) në Bern të Zvicrës do të mbahet manifestimi përkujtimor “Kurora e Lirisë”, i organizuar në nder të sakrificës së familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë së Kosovës.

Në këtë manifestim do të merr pjesë edhe deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ndërsa do të zhvillohet në ambientet e Kursaal Arena dhe synon të nderojë kujtesën historike dhe sakrificën e familjes Jashari.

Programi i manifestimit do të përfshijë fjalime solemne mbi kujtesën historike, ku do të marrë pjesë edhe profesori Agim Vinca.

Përveç pjesës përkujtimore, manifestimi do të shoqërohet edhe me spektakël të larmishëm artistik, me pjesëmarrjen e artistëve të mërgatës shqiptare në Zvicër. Mysafir nderi i mbrëmjes do të jetë edhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Shota nga Kosova.

Në kuadër të programit do të hapet edhe një ekspozitë fotografike me titull “Prekazi dashuri, dhimbje dhe krenari kombëtare” nga fotografi Sefer Aliçkaj, e cila sjell momente dhe kujtime të rëndësishme historike lidhur me sakrificën për liri.

Manifestimi “Kurora e Lirisë” do të nisë në orën 15:00 dhe do të zgjasë deri në 18:30, ndërsa organizatorët ftojnë bashkatdhetarët dhe të gjithë të interesuarit të marrin pjesë për të nderuar një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë kombëtare shqiptare.

NA NDIQ NË FACEBOOK