Connect with us

Religjion

Llojet e agjërimit vullnetar (nafile)

Publikuar

Përveç agjërimit të detyrueshëm të muajit të Ramazanit, rekomandohet të agjërohen edhe ditë të caktuara të vitit, për të cilat parashikohet një shpërblim i veçantë.

Agjërimi të hënën dhe të enjten

Një herë, i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., u pyet për agjërimin e së hënës dhe tha:

“Ky është dita në të cilën kam lindur dhe dita në të cilën më ka filluar shpallja e Kur’anit.” (Muslim)

Usame, r.a., një herë e pyeti të Dërguarin e Allahut, s.a.v.s.:
“O i Dërguari i Allahut, ndonjëherë agjëron (agjërim vullnetar) sikur të mos e ndërpresësh kurrë, e ndonjëherë nuk agjëron sikur të mos kesh agjëruar kurrë, përveç dy ditëve të cilat, sa herë që vijnë, ti gjithmonë i agjëron?”
“Cilat janë ato dy ditë?” – pyeti i Dërguari, s.a.v.s.
“Të hënën dhe të enjten” – tha Usame, r.a.
Atëherë i Dërguari, s.a.v.s., tha:
“Këto janë dy ditë në të cilat veprat paraqiten para Zotit të botëve, dhe unë dëshiroj që veprat e mia të paraqiten ndërkohë që jam agjërueshëm.” (Ahmed)

Gjithashtu, i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ka theksuar rëndësinë e agjërimit në këto dy ditë në këtë hadith:

“Vërtet, Allahu, xh.sh., të hënën dhe të enjten ia fal çdo myslimani, përveç dy personave që janë të armiqësuar (nuk flasin me njëri-tjetrin), derisa të pajtohen.” (Ibn Maxhe)

Agjërimi në Ditën e Arafatit

Vlera e agjërimit në Ditën e Arafatit theksohet në shumë hadithe. Përndryshe, Dita e Arafatit është dita e nëntë e muajit Dhul-Hixhe, pra një ditë para Kurban Bajramit.

Një herë, i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., u pyet për agjërimin në Ditën e Arafatit dhe tha:

“Shpresoj që Allahu, për shkak të agjërimit në Ditën e Arafatit, të falë (gjynahet e vogla) të bëra në vitin e kaluar dhe në vitin që vjen.” (Muslim)

Nëse dikush pyet: si është e mundur të falen gjynahet e një viti që ende nuk ka ardhur, përgjigjja është: kjo do të thotë se Allahu do ta ruajë atë nga gjynahet në vitin e ardhshëm, ose do t’i japë shpërblim të madh dhe do ta mbulojë me mëshirën e Tij aq sa t’i fshihen gjynahet e vogla që mund t’i bëjë gjatë atij viti. (Tuhfetu-l-Ahvezi 3/453)

Gjynahet që falen janë gjynahet e vogla – ky është qëndrimi i ehli sunetit dhe xhematit. Sa i përket gjynaheve të mëdha, ato nuk shlyhen përveçse me pendim të sinqertë (tevbe), ose nëse Allahu, xh.sh., me mëshirën e Tij të madhe ia fal robit.

Ka edhe hadithe të tjera që nxisin agjërimin në këtë ditë, si p.sh.:

Sehl ibn Sead, r.a., transmeton se i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ka thënë:

“Kush agjëron në Ditën e Arafatit, do t’i falen gjynahet e dy viteve radhazi.” (Ebu Je’la, sahih)

Një herë, një njeri e pyeti Abdullah ibn Omerin për agjërimin e Ditës së Arafatit, dhe ai i tha: “Në kohën e të Dërguarit, ne e krahasonim agjërimin e kësaj dite me agjërimin e dy viteve.” (Taberani)

Duhet theksuar se agjërimi në Ditën e Arafatit është i rekomanduar për ata që nuk janë në haxh. Ndërsa për ata që janë në haxh, pra në Arafat, është e pëlqyeshme (mustehab) që të mos agjërojnë, në mënyrë që të mund t’i përkushtohen më shumë dhikrit dhe adhurimit.

Argument për këtë është hadithi që transmeton Ebu Hurejre, r.a., se i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., e ka ndaluar agjërimin në Ditën e Arafatit për ata që janë në Arafat. (Ebu Davud, Nesai, Ibn Huzejme dhe Hakim)

Ata’u ka thënë: “Kush nuk agjëron në Ditën e Arafatit me qëllim që të përkushtohet më shumë në dhikër, do të ketë shpërblim sikur ai që ka agjëruar.”

Agjërimi në Ditën e Ashures

Dita e Ashures është dita e dhjetë (10) e muajit Muharrem, muaji i parë i vitit sipas kalendarit islam (hixhri).

Ebu Katade, r.a., transmeton se i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., u pyet për agjërimin e Ditës së Ashures (dita e dhjetë e muajit Muharrem), dhe ai tha:

“Agjërimi i Ditës së Ashures i shlyen (gjynahet e vogla) të bëra në vitin e kaluar.” (Muslim)

Një njeri e pyeti të Dërguarin e Allahut, s.a.v.s.:

“Cilin muaj më rekomandon të agjëroj pas Ramazanit?”

I Dërguari iu përgjigj: “Nëse dëshiron të agjërosh pas Ramazanit, atëherë agjëro muajin Muharrem, sepse ai është muaj në të cilin Allahu, xh.sh., i ka bërë mëshirë një populli (popullit të Musait a.s., kur Allahu i shpëtoi nga Faraoni duke e mbytur atë), dhe në të Ai do të bëjë mëshirë edhe ndaj popujve të tjerë.” (Ahmed)

Ibn Abbasi, r.a., transmeton se kur i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., erdhi në Medinë, i gjeti hebrenjtë duke agjëruar Ditën e Ashures dhe i pyeti: “Çfarë është kjo ditë që ju e agjëroni?” Ata u përgjigjën: “Kjo është një ditë e madhe, në të cilën Allahu, xh.sh., e shpëtoi Musain a.s. dhe popullin e tij, dhe e fundosi Faraonin dhe popullin e tij. Prandaj, Musai e agjëroi këtë ditë në shenjë falënderimi ndaj Allahut, dhe ne gjithashtu e agjërojmë.” Atëherë i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., tha: “Ne jemi më të afërt me Musain se ju,” dhe ai e agjëroi këtë ditë dhe urdhëroi që të agjërohet. (Muslim)

Ibn Abbasi, r.a., gjithashtu thotë: “Kur i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., e agjëroi Ditën e Ashures dhe urdhëroi agjërimin e saj, sahabët i thanë:
“O i Dërguari i Allahut, kjo është një ditë që e madhërojnë hebrenjtë dhe të krishterët.”
Ai u përgjigj: “Nëse jetoj deri vitin e ardhshëm, me dëshirën e Allahut, do të agjëroj edhe ditën e nëntë (të Muharremit).” Ibn Abbasi thotë: Nuk erdhi viti tjetër, veçse i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., kishte ndërruar jetë. (Muslim)

Ibn Haxheri thotë: “Agjërimi i Ditës së Ashures mund të bëhet në tre mënyra dhe nivele:

  • të agjërohet vetëm dita e dhjetë e Muharremit,
  • më mirë është të agjërohen dita e nëntë dhe e dhjetë (9 dhe 10),
  • dhe niveli më i plotë është të agjërohen dita e nëntë, e dhjetë dhe e njëmbëdhjetë (9, 10 dhe 11) e Muharremit.” (Fethu-l-Bari 4/246)

Autor: Fuad Sedić

Përktheu: Mehas Alija

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK