Lajme
Lëvizja Demokratike: Mbështetje e palëkundur për rolin udhëheqës të SHBA në paqen globale dhe sigurinë rajonale

Lëvizja Demokratike shprehu mbështetje të qartë dhe të palëkundur për rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mbrojtjen e paqes globale, stabilitetit rajonal dhe rendit demokratik ndërkombëtar, në kontekstin e sfidave të shumta gjeopolitike, përfshirë tensionet me Iranin.
Në një komunikatë për media, partia vlerëson se qëndrueshmëria, vendosmëria dhe përgjegjësia strategjike e SHBA-ve përbëjnë garanci për sigurinë kolektive, ndërsa politika amerikane e parandalimit, mbështetja e aleatëve dhe angazhimi për siguri ndërkombëtare janë themel për një botë më të qëndrueshme.
“Çdo përpjekje për të frenuar destabilizimin në Lindjen e Mesme është njëkohësisht kontribut për sigurinë e Evropës dhe rajonit tonë,” thuhet në reagim.
Lëvizja Demokratike thekson se, si shtet anëtar i NATO-s, Maqedonia e Veriut e ka të qartë se partneriteti strategjik me SHBA-të është shtyllë e sigurisë kombëtare dhe zhvillimit demokratik, ndërsa aleanca transatlantike përfaqëson garanci për stabilitet, investime dhe perspektivë euroatlantike.
Partia shqiptare në pushtet shton se qëndron fuqishëm përkrah SHBA-ve në çdo përpjekje për ruajtjen e paqes, parandalimin e kërcënimeve ndaj sigurisë ndërkombëtare dhe forcimin e arkitekturës globale të stabilitetit, duke vlerësuar se lidershipi amerikan mbetet faktor kyç për një rend botëror të bazuar në rregulla, përgjegjësi dhe siguri afatgjate.
















