Connect with us

Religjion

Hutbeja e Bajramit të Ramazanit

Publikuar

Kur para njëzet e nëntë ditësh erdha në jetët tuaja, në shtëpitë dhe xhematet tuaja, solla mirësi të panumërta dhe çdo njeriu, burri e gruaje, i ofrova mundësinë që t’i shfrytëzojë ato mirësi për t’u fisnikëruar përmes tyre.

Erdha me agjërimin; ai mund t’ju ketë mësuar, nëse keni dashur, durimin dhe qëndrueshmërinë. Mund t’ju ketë mësuar se si t’i kontrolloni instinktet, pasionet dhe dëshirat tuaja, duke ju treguar se kjo është e mundur.

Erdha me mëshirën(rahmetin), dhe të gjithë ju, brenda dhjetë ditëve të mia të para, keni mundur të mësoni se rruga drejt mëshirës së Allahut kalon përmes mëshirës suaj njerëzore. Gjatë atyre dhjetë ditëve të mëshirës, jua përsërita vazhdimisht hadithin e Pejgamberit (a.s.): “Nëse dëshironi mëshirë, bëhuni të mëshirshëm.”

Erdha me faljen(magfiretin), dhe të gjithë ju keni mundur që, brenda dhjetë ditëve të mia të mesme, ta shfrytëzoni çdo çast për t’u penduar sinqerisht e për t’u çliruar nga mëkatet. Njëkohësisht, përmes porosive të betejës së Bedrit, keni mundur të forcoheni që të mos u ktheheni më atyre dhe mëkateve të tjera. Gjatë atyre dhjetë ditëve, jua përsërita vazhdimisht hadithin e Pejgamberit (a.s.): “Nëse dëshironi falje, falni të tjerët”. Prandaj, shpresoj që marrëdhëniet mes jush të jenë më të mira tani që unë u largova.

Erdha me ditët që quhen mbrojtje nga zjarri, ku të gjithë ju që kishit detyrim, keni mundur të mbroheni përmes sadakasë dhe zekatit, sepse nuk ka mbrojtës më të fortë dhe më të mirë se sa vetë sadakaja. Gjatë dhjetë ditëve të mia të fundit, jua përsërita hadithin e Pejgamberit (a.s.): “Sadakaja është dëshmi”. Kjo do të thotë se gatishmëria juaj për të dhënë nga ajo që edhe vetë e doni, është dëshmia e vërtetë e bindjes suaj, e imanit tuaj. Tani që po largohem, shpresoj që në këto dhjetë ditët e fundit t’ju kam nxitur drejt solidaritetit dhe t’ju kam mësuar që të mos e ktheni kokën anash nga të dobëtit, të varfrit dhe nevojtarët.

Erdha te ju me të gjitha ditët e mia në të cilat shejtani është i pafuqishëm, siç thotë Pejgamberi (a.s.), i lidhur me zinxhirë. Pashë se gjatë meje, muajit të Ramazanit, rruga juaj drejt xhamisë ishte më e hapur dhe keni falur namaz më shumë. Besoj se përmes faljes jeni bërë të vetëdijshëm se namazi është shtylla e fesë sonë dhe se mirësia e pafundme e namazit qëndron në faktin se ai na edukon dhe na ruan nga mëkati dhe e keqja.

Mbrëmë u largova dhe sot po ju gostis me Bajramin. Sot, në ditën e Bajramit, të gjithë ata që i shfrytëzuan mirësitë e mia dhe i shijuan ato, do ta marrin shpërblimin; e ky shpërblim është edhe mëshira, edhe falja, edhe siguria nga zjarri. Sot po ju gostis me Bajramin, me këtë xhemat të madh të bajramit, për t’ju treguar se kur jeni së bashku, me qëllim unik, ju jeni të fuqishëm dhe rezistentë ndaj sulmeve. Sot, në këtë botë pa rregulla, në botën ku vlerësohet vetëm forca, ju lutem ta ruani këtë ndjenjë xhemati dhe në të gjitha sferat e jetës të jeni një saf i ngjeshur, sepse nuk ka ndihmë dhe forcë për ju jashtë vetes suaj.

Gëzuar festën e Bajramit!

Hatib: Izet ef. Čamdžić

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK