Lajme
Hoxha: Mbështetje për fermerët lokalë për të rritur besimin tek prodhimi vendas

Zëvendësministri i Bujqësisë, Albrim Hoxha, ka vizituar fermën organike të fermerit Ferit Biçaku në fshatin Zagraçan të Strugës, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së prodhuesve vendorë për rritjen e sigurisë ushqimore dhe zhvillimin rural.
Hoxha e vlerësoi Biçakun si shembull të përkushtimit në bujqësi, duke theksuar se bëhet fjalë për një fermer që “nuk ankohet, por punon çdo ditë me përkushtim, pasion dhe përgjegjësi”, ndërsa aktiviteti i tij është i certifikuar për prodhim organik.
“Mbështetja e fermerëve lokalë si Ferit Biçaku do të thotë më shumë siguri ushqimore, më shumë zhvillim për zonën dhe më shumë besim te produkti vendas”, ka shkruar Hoxha në rrjetet sociale, duke ndarë edhe fotografi nga vizita.
Ai shtoi se institucionet do të vazhdojnë politikat mbështetëse për fermerët vendas me qëllim forcimin e prodhimit lokal dhe rritjen e besimit të konsumatorëve te produktet bujqësore të vendit.
















