Bota
Hormuzi – Çanakkale-ja e Iranit?

Shkruan: Abdylvehab Ejupi
Lufta e SHBA-Izrael kundër Iranit na kujton një të vërtetë të harruar: se luftërat nuk fitohen apo humben në front, por në sistem.
111 vite më parë, më 25 prill 1915, Anglia dhe Franca, së bashku me forcat ANZAK(ushtarakë nga Australia dhe Zelanda e Re), hapën frontin tokësor në Betejën e Çanakkales. Qëllimi ishte depërtimi i shpejtë dhe bashkimi me Rusinë përmes Stambollit. Por rezultati ishte një katastrofë e plotë.
Fronti u bllokua. Lufta u zgjat. U dhanë rreth 80 mijë humbje. Por shkatërrimi i vërtetë nuk filloi në front, por në sistem.
Ai front që u hap në Çanakkale dhe nuk u mbyll, e zgjati luftën për dy vite. Lidhja me Rusinë nuk u arrit. Sistemi ekonomik i Anglisë, i varur nga tregtia detare, u trondit. Nëndetëset gjermane goditën transportin detar britanik. Rrjedha e lëndëve të para u ndërpre. Prodhimi ra. Kompanitë filluan të falimentojnë. Balanca mes ofertës dhe kërkesës u prish.
Pra, në Çanakkale nuk vdiqën vetëm ushtarë. U paralizua sistemi ekonomik i një perandorie.
Ajo që shohim sot në Ngushtica e Hormuzit është pikërisht kjo.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli mendouan se mund të krijojnë epërsi ushtarake ndaj Iranit. Por problemi nuk është më “kush godet kë”. Problemi është kush mund të ushtrojë më shumë presion mbi linjat energjetike, transportin detar, zinxhirët logjistikë dhe sistemin financiar.
Strategjia e Iranit bazohet në mos-humbje, rritje të kostos dhe bllokim të sistemit.
Kur fronti u bllokua në Çanakkale, Anglia filloi të humbë. Nëse sot bllokohen rrugët detare në Hormuz, e njëjta gjë do të ndodhë.
Nëse ndalet rrjedha e energjisë, nuk do të preket vetëm nafta, por edhe gazi/ LNG, plehrat kimike, çipat, ushqimi dhe prodhimi industrial do të shemben. Kostot e sigurimeve rriten, tregtia detare ngadalësohet, balanca globale e furnizimit prishet. Nga ky moment, lufta del nga fronti dhe përhapet drejtpërdrejt në ekonomi, shoqëri, tek qytetari i zakonshëm dhe sistemi politik.
Teknologjia mund të ketë ndryshuar me dronëluftarakë, armë hipersonike, aeroplanë F-35 dhe inovacione të tjera, por thelbi i luftës nuk ka ndryshuar. Çfarë ishte Çanakkale në vitin 1915, është sot Hormuzi.
Linjat e transportit detar, rrjedha e energjisë dhe zinxhirët e lëndëve të para janë frontet reale të luftës moderne.
Gjaku që derdhet në front, vrasja e liderëve dhe individëve brenda shtetit e ushtrisë është i dukshëm. Por ajo që rrëzon sistemin është ndërprerja e rrjedhës së padukshme.
Historia na ka treguar vazhdimisht se kur një luftë zgjatet, fitues nuk është ai që godet më shumë, por ai që qëndron më gjatë në këmbë.




















