Lajme
Hidhet gurthemeli i kampusit të Universitetit “Nëna Terezë”, Sali: Investim i madh për arsimin dhe rininë

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, njoftoi se sot është vendosur gurthemeli i kampusit të ri të Universiteti “Nëna Terezë” në Shkup, tranmseton Zyrtare.net
Në një postim në rrjetet sociale, ai bëri të ditur se ceremonia u zhvillua me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, në prani të kryeministrit Hristijan Mickoski dhe kryetarit të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Sali theksoi se projekti që dikur dukej si një ëndërr, tashmë po bëhet realitet, ndërsa kampusi i ri do të krijojë një hapësirë moderne akademike për studentët dhe profesorët.
Sipas tij, ky është një investim i madh në arsim, në rini dhe në të ardhmen e vendit, ndërsa në këtë hapësirë pritet të ngrihet një qendër e re e dijes që do të ofrojë mundësi për mësim, kërkim shkencor dhe zhvillim profesional.
“Duke ndërtuar universitete të fuqishme, ne ndërtojmë një të ardhme më të sigurt për të gjithë”, theksoi Sali.
Ai shtoi se koalicioni VLEN dhe qeveria aktuale po dëshmojnë me vepra se arsimi mbetet një nga prioritetet kryesore të angazhimit dhe investimeve të tyre, duke uruar që kampusi i ri të shërbejë për studentët, profesorët dhe brezat që do të vijnë.


















