Lajme
Deputeti si “përfaqësues i popullit”: një specie në zhdukje e sipër…

Në korridoret e Kuvendit të Shqipërisë, heshtja kushton shtrenjtë, por paguhet mjaft mirë. Prej gati tri vitesh, deputetët tanë gëzojnë paga të dyfishuara, një vendim që u shit si nevojë për të dinjitetuar figurën e ligjvënësit dhe për të shmangur tundimet e korrupsionit.
Mirëpo, ndërsa janë fryrë llogaritë bankare të të zgjedhurve, ka pësuar një rënie drastike llogaridhënia ndaj qytetarëve. Sot, termi “përfaqësues i popullit” po i ngjan gjithnjë e më shumë një emërtimi biologjik për një specie në zhdukje, e cila po zëvendësohet nga një racë e re: deputeti-robot, i programuar vetëm për të ngritur kartonin dhe për të recituar të njëjtat pika bisedimi si shefi i partisë.
Në këtë peizazh monoton të bindjes politike, figura e Erion Braçes shfaqet si një anomali. I lënë jashtë zonave “të rehatshme” të listave të sigurta në Tiranë, ai arriti të thyente në zgjedhjet e fundit herësin me mbi 21 mijë vota, një dëshmi se kontakti i drejtpërdrejtë me bazën ka ende vlerë.
Braçe përfaqëson sot atë “specie në zhdukje”, që guxon të jetë një opozitë brenda shumicës, duke ngritur zërin kundër monopoleve, mbi cilësinë e ushqimeve apo abuzimet me çmimet. Madje edhe duke e sulmuar Bashkinë e Tiranës për neglizhencat në zonën ku është zgjedhur, por jo vetëm.
Kritikat e tij apo interpelancat me ministrat e kabinetit “Rama”, janë një shfaqje e rrallë integriteti në një sallë ku shumica e kolegëve të tij zgjedhin komoditetin e heshtjes. Kjo qasje, ndonëse e vlerësuar nga disa sulmohet nga të tjerë, pasi ai nuk është një deputet i pavarur por pjesë e Partisë Socialiste.
Me një raport të “ftohtë dhe institucional” me Edi Ramën, të paktën siç e ka deklaruar vetë, Braçe mbetet një ishull në PS, ku të tjerët mjaftohen me propagandimin e sukseseve qeveritare, duke përdorur të njëjtin fjalor dhe agresivitet si Kryeministri.
Por mjerimi politik nuk kufizohet vetëm në krahun e pushtetit. Edhe në radhët e opozitës, po rrallohen dita-ditës figurat me peshë specifike dhe individualitet. Deputetët e opozitës duket se i bëjnë iso të plotë retorikës së kreut të PD-së, Sali Berisha.
Ata fokusohen pothuajse ekskluzivisht në temat “makro” dhe kryesisht të politës së ditës: sulmet ndaj SPAK-ut, denoncimet ndaj Ballukut apo akuzat e drejtpërdrejta ndaj Ramës. Në këtë luftë gladiatorësh për pushtet dhe mbijetesë politike, ata harrojnë misionin e tyre kryesor: të merren me problemet reale që prekin direkt ata që i kanë zgjedhur.
Rasti i fundit i protestës së banorëve të Rrjollit, tregoi qartazi se si lidershipi i PD-së ka interes primar mbrojtjen e mirëqenies së vet materiale dhe interesave të disa oligarkëve pranë saj, duke lënë në harresë kauzat e njerëzve të thjeshtë që kërkojnë mbrojtjen e pronës dhe të drejtat bazike.
Rrallëherë dëgjohet një deputet opozitar të flasë me shifra për zonën e tij zgjedhore, për rrugën e pashtruar të një fshati apo për mungesën e ujit. Kjo ndodh sepse preferojnë ose janë të detyruar të jenë zëdhënës të udhëheqësit sesa avokatë dhe zëdhënës të popullit.
Pra dyfishimi i rrogës nuk e bleu angazhimin e tyre. Përkundrazi, e bëri edhe më luksoze indiferencën. Nëse zhduket plotësisht modeli i deputetit që bërtet për hallin e qytetarit, parlamenti do të pushojë së qeni tempulli i demokracisë, dhe do të mbetet thjesht një zyrë noteriale e vullnetit të kryetarëve, duke e lënë popullin jetim dhe pa një përfaqësim të vërtetë./tesheshi.com/





















