Religjion
Cili është rezultati i edukimit të Ramazanit?

Në një qytet të vogël, dikur u organizua një trajnim njëmujor mbi ekologjinë dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor. Për çdo ditë mbaheshin ligjërata, punëtori, e madje u organizuan edhe aksione pastrimi. Pjesëmarrja ishte e mirë, ndonëse jo masive, megjithatë mjaft e kënaqshme. Pas përfundimit të këtij trajnimi, rezultati ishte se vetëm disa individë të paktë, një numër mjaft i vogël, e jetësuan përmbajtjen e mësuar dhe filluan të silleshin në përputhje me të. Qyteti, fill pas atyre aksioneve të pastrimit, nisi të dukej pothuajse i njëjtë si më parë, sepse shumica iu rikthyen zakoneve të vjetra: hedhjes së mbeturinave në sipërfaqe të gjelbra, në pyje, në përrenj dhe në lumenj.
U konstatua se ky edukim dështoi, sepse përkundër dijes së ofruar dhe të përvetësuar, shumicës i mungonte ndërgjegjja dhe bindja se ajo që mësohet duhet edhe të jetësohet.
Në një umet gjigant e mbërriti Ramazani. Gjatë këtij muaji të zgjedhur dhe të bekuar, çdo ditë u mbajtën ligjërata, punëtori, biseda të veçanta për gratë, u shënua një punë e palodhshme me rininë, e madje u organizuan edhe iftare të përbashkëta e takime vëllazërore. Kishte shumë përmbajtje që synonin që çdo pjesëmarrës i këtij edukimi ramazanor të bëhej më i mirë, e bashkë me të edhe gjendja në shoqëri të përmirësohej: të kishte më pak bixhoz e baste, më pak drogë e alkoolizëm, më pak sjellje dhe veshje të pahijshme, më pak pandershmëri e mashtrim, më pak urrejtje e zili… Me një fjalë, i gjithë ky edukim ramazanor kishte si qëllim që Islami të kalonte nga fjalët dhe ligjëratat, nga tribunat dhe bisedat, në vepër – që të shndërrohej në jetë.
Është e sigurt se ka individë për të cilët Ramazani i bekuar ka qenë pikë kthese, që janë bërë më të mirë dhe që u janë shmangur shumë parregullsive dhe mëkateve. Mirëpo, është e dhimbshme që vetëm një ditë pas Ramazanit – e besoj se edhe në ditët në vijim do të jemi dëshmitarë – shoqëria sërish u kthye në zakonet e vjetra dhe në mënyrën e mëparshme të jetesës.
Gjatë edukimit ramazanor ne pamë se agjërimi na mësoi se është e mundur të krijohet një ekuilibër midis trupit dhe shpirtit; se është e mundur të plotësohen nevojat e trupit në mënyrë hallall dhe se është e domosdoshme që çdo ditë, jo vetëm gjatë Ramazanit, të ushqehet shpirti. Kjo është rruga e vetme për të qenë njeri. Megjithatë, te pjesëmarrësit e këtij edukimi mungoi ajo që Ramazani nuk mund t’ua derdhë në zemra nëse nuk e bëjnë vetë: bindja. Kush do ta nxisë njeriun drejt ndryshimit, drejt jetësimit të asaj që ka mësuar, nëse nuk e bën ai vetë? Nëse mungon bindja, nuk ka kush ta vërë në lëvizje.
Në edukimin ramazanor pamë se muslimanët i përgjigjeshin ezanit më shumë, e në disa net edhe në mënyrë masive. Detyra e atij ezani dhe e atij namazi gjatë kohës së edukimit ishte që të na mësonte që namazi të jetë përditshmëria jonë, dhe jo vetëm përmbajtje e ditëve të Ramazanit. Është për t’u lavdëruar që xhematlinjtë tanë morën pjesë në këtë mësimdhënie ramazanore, por është fakt i pamohueshëm se me largimin e edukatorit – Ramazanit – qyteti, xhematet dhe xhamitë mbetën sërish të njëjta. Ramazani nuk mund ta mbjellë bindjen në zemrat e njerëzve; atë nuk mund t’ua mbjellë askush tjetër përveç tyre. Sikur zemrat e tyre të ishin të bindura se namazi është shtylla e fesë sonë, dhe jo vetëm një praktikë ramazanore, ato zemra do ta dëgjonin ezanin çdo ditë dhe Ramazani do të ishte krenar me ta.
Gjatë edukimit ramazanor mësuam se mëshira (rahmeti) e Allahut është e pafundme dhe se për çdo rob të Tij rruga drejt saj është e hapur, vazhdimisht e hapur; dhe se kushdo që dëshiron, mundet çdo ditë, madje në çdo çast, të jetë në shtegun që shpie drejt atij shpëtimi që quhet mëshirë hyjnore. Gjithashtu mësuam se falja (magfireti) e Allahut është e pamatë dhe se çdo rob mundet në çdo moment të jetë në rrugën e shpëtimit. Mëshirën e jeton dhe drejt mëshirës së Allahut ecën kur je besimtar i vërtetë, e kjo do të thotë se çdo gjë dhe çdokush është i sigurt prej teje dhe se askujt nuk do t’i bësh keq. E ti i bën keq atij punëtori komunal të sakrifikuar kur e hedh qesen e mbeturinave pranë kontejnerit. Nuk po shoh, dhe as ju nëse silleni rreth vetes, nuk do të shihni asnjë ndryshim në këtë fushë. Sërish jemi po aq të pamëshirshëm ndaj hapësirës së gjelbër, ndaj pyllit, ndaj përroit, ndaj lumit dhe ndaj burimit. Drejt faljes ecën nëse përpiqesh të bësh sa më shumë punë të mira, sepse Allahu i Madhëruar na mëson – e në edukimin ramazanor e kemi dëgjuar këtë panumër herë – se çdo vepër e mirë e fshin gjynahun e bërë më parë. Eshtë e kotë të thuash estagfirullah (kërkoj falje tek Allahu) nëse të mungon bamirësia.
Në edukimin ramazanor mësuam se solidariteti është cilësia që i zbukuron të shpëtuarit; mësuam se nuk ka fuqi për individin, as për umetin, pa ikre’ (lexim/dije). O, sa mirë do të ishte sikur, përveç dijes në mendjen tonë, gjatë Ramazanit të kishte hyrë edhe bindja në zemrat tona, që Ramazani të ishte krenar me ne, dhe që Allahu i Madhëruar të ishte i kënaqur me ne sepse ishim nxënës të suksesshëm të Ramazanit. Kurse tani, të edukuar dhe të bindur – të edukuar se çfarë është e vërteta dhe të bindur në atë të vërtetë – ta jetojmë faktin se dhënia (sadakaja) është rruga drejt Xhenetit, dhe se rruga e kërkimit të dijes është rruga drejt suksesit në këtë botë dhe në botën tjetër.
A solli edukimi i Ramazanit dobi për shoqërinë tonë? Le të kthehemi sot në shtëpi nga kjo xhuma me këtë pyetje në mendje.
O Allahu i Madhëruar, të lutemi na ndihmo! Amin!
Hatib: Izet ef. Čamdžić
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)























