Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) reagoi ndaj rritjes së çmimeve në vend, duke akuzuar Qeverinë dhe Ministrinë e Ekonomisë për mungesë reagimi dhe për masa të pamjaftueshme për mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve.
Nga kjo parti thonë se standardi i familjeve po goditet çdo ditë nga shtrenjtimi i produkteve, ndërsa institucionet, sipas tyre, nuk po ndërmarrin hapa konkretë për të përballuar situatën. BDI thekson se kishte propozuar rritjen e pagës minimale dhe rritje lineare të pagave si mënyrë për të mbrojtur të ardhurat e qytetarëve, por ky propozim nuk është pranuar.
Sipas BDI-së, situata është edhe më e rëndë në këtë periudhë të vitit kur familjet kanë shpenzime më të mëdha, për shkak të muajit të Ramazanit dhe festave të afërta të Bajramit dhe Pashkëve, duke theksuar se qytetarët kanë nevojë për stabilitet të çmimeve dhe mbështetje nga institucionet.
Në reagimin e saj, BDI paraqet disa masa që, sipas saj, mund të zbatohen menjëherë për të lehtësuar barrën mbi familjet. Ndër to janë vendosja e çmimeve tavan ose përcaktimi i marzheve minimale për produktet bazë ushqimore për të parandaluar abuzimet me çmimet, si dhe rritja e pagës minimale për të paktën 3.500 denarë duke filluar nga muaji mars, në vend të rritjes prej 1.600 denarësh që parashihet aktualisht.
Po ashtu, BDI propozon uljen e përkohshme të TVSH-së për produktet bazë ushqimore për një periudhë prej tre muajsh, rishikimin e të dhënave doganore për importin e pemëve dhe perimeve, si dhe shtimin e kontrolleve nga inspektoratet në treg për të parandaluar spekulimet dhe abuzimet me çmimet.
Partia gjithashtu i bën thirrje Komisionit Rregullator për Energjetikë që të shqyrtojë më shpesh çmimet e derivateve të naftës, të paktën dy herë në javë, duke theksuar se në bursat ndërkombëtare tashmë është vërejtur rënie e çmimeve.
“Qytetarët kanë nevojë për veprime konkrete, jo për heshtje institucionale. Qeveria duhet të veprojë menjëherë për të mbrojtur standardin jetësor të familjeve”, thuhet në reagimin e BDI-së.

















