Connect with us

Religjion

Bajrami na kthen te vetvetja

Publikuar

Dy festa i zëvendësuan të gjitha të tjerat. Pavarësisht se sa kanë qenë ato të tjerat, këto të dyja me përmbajtjen dhe mesazhin e tyre plotësojnë dhe kompensojnë gjithçka. Këto janë dy Bajramet: Bajrami i Ramazanit dhe Bajrami i Kurbanit.

Ditët e sakrificës, flijimit dhe ibadetit të Ramazanit kurorëzohen me Bajram – që në gjuhën arabe quhet “IJD” – kurorëzohen me një ditë në të cilën i kthehemi vetvetes; vetvetes më të lirë nga mëkatet dhe më të lehtë, vetvetes më të vetëdijshme për atë që përbën vlerën e vërtetë dhe të mirëfilltë.

Në këtë ditë, ashtu siç na mëson Pejgamberi (a.s.) të gjithë punëtorët e Ramazanit do të marrin pagën e tyre, përmbajtja kryesore e së cilës është pakësimi i mëkateve të tyre. E nëse janë përpjekur seriozisht dhe kanë ecur me hapa të sigurtë në rrugën e tevbes (pendimit) të sinqertë, mund të jenë edhe plotësisht të pastër nga mëkatet.

Të forcuar nga Ramazani dhe me mendje më të kthjellët, ne kuptojmë më mirë se cilat janë vlerat reale dhe çfarë meriton vëmendjen dhe përkushtimin tonë. Gjatë ditëve të Bajramit, familja është në qendër të përditshmërisë sonë. Ne nuk i shënojmë këto dy ditë të rëndësishme që quhen “IJD”  (që do të thotë “kthim”) thjesht sa për t’i kaluar, por që ato ta rikthejnë në ndërgjegjen tonë dhe në praktikën tonë të përditshme rëndësinë e familjes. Për Bajram – pikërisht sepse është Bajram – ne i kthehemi familjes. Bajrami na bashkon, dhe ky kthim tek vetja dhe tek familja duhet të kurorëzohet me qëndrimin pranë këtyre vlerave, duke u kujdesur dhe duke vigjëlluar çdo ditë mbi këtë vlerë që quhet familje.

Ramazani na forcon dhe na e bën mendjen më të mprehtë, ndaj e kuptojmë më mirë se çfarë është vlerë e vërtetë. Në ditët e Bajramit – sepse i tillë është Bajrami – gjejmë kohë për t’i vizituar dhe për t’i parë njerëzit e afërt dhe farefisin. Te ky detyrim që buron nga feja jonë dhe që është një obligim shumë serioz, na kthen Bajrami – e si të mos na kthejë kur ai është “IJD”  (kthim). Kjo forcë e Bajramit, që na kthen te vlerat e vërteta, duhet të na mbajë të vetëdijshëm edhe në ditët jashtë Bajramit për rëndësinë e farefisit, për rëndësinë e ruajtjes dhe mbajtjes së lidhjeve familjare. Sepse Pejgamberi (a.s.) ka thënë se ky është detyrimi ynë dhe se në Arshin e Allahut është shkruar se lidhja farefisnore lutet: “O Zot, kush më mban mua (kush i mban lidhjet), mbaje edhe Ti atë; e kush më neglizhon mua, neglizhoje edhe Ti atë.” Ramazani na fuqizon që të jemi me mendje më të kthjellët, që ta dallojmë më mirë se cila është vlera e vërtetë dhe e mirëfilltë dhe cila është e denjë për vëmendjen dhe përkushtimin tonë.

Në ditët e Bajramit – sepse i tillë është Bajrami – ne jemi xhemati më i madh gjatë vitit. A nuk thotë edhe shkenca mbi shoqërinë se njeriu është qenie shoqërore, qenie e xhematit? Bajrami është “IJD” , ai na kthen, na kthen te vetja jonë, te njerëzorja tek ne, dhe kështu me forcën e tij të padiskutueshme na orienton drejt xhematit, drejt kësaj nevoje jetike për ne. Oh, sa mirë do të ishte t’i kuptonim mesazhet e këtyre ditëve të Bajramit dhe t’ia lejonim vetes që të ktheheshim te vetvetja dhe te vlerat e vërteta që na bëjnë të lumtur si këtu (në këtë botë), ashtu edhe atje (në botën tjetër).

Ne agjëruam dhe me padurim e pritëm shpërblimin, e pritëm Bajramin. Ja ku erdhi! Dhe të gjithë ata që ia dhanë Ramazanit haku-n (të drejtën) e tij, sot pa dyshim ndiejnë lehtësim; kanë më pak mëkate ndaj janë më të lehtë, më fluturues. Ekziston mundësia që edhe fundi i jetës sonë në këtë botë të jetë bajram. Që kjo të ndodhë, le të qëndrojmë fort pas vlerave te të cilat na kthen bajrami.

O Allahu i Lartësuar, na ndihmo. Amin!

Hatib: Izet ef. Čamdžić

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK