Lajme
Azizi shpërthen ndaj BDI-së: Parti pa komb dhe fe, zgjasin seancën pa asnjë respekt për agjëruesit në Kuvend

Deputeti i koalicionit VLEN, Adnan Azizi, ka reaguar ashpër ndaj një situate të ndodhur në Kuvendin e RMV-së, duke akuzuar deputetë të BDI-së për provokim të qëllimshëm gjatë seancës.
Sipas Azizit, seanca parlamentare është vonuar rreth një orë për shkak të një kërkese për pauzë, të cilën ai e cilëson si të pajustifikuar dhe me prapavijë provokuese, sidomos ndaj deputetëve që janë duke agjëruar në prag të festës së Bajramit.
Ai pretendon se kërkesa për ndërprerje është bërë nga një deputete e Bashkimi Demokratik për Integrim, duke e interpretuar këtë veprim si mungesë respekti ndaj ndjenjave fetare dhe kombëtare.
“Kur ke të bësh me njerëz që s’kanë fije respekti për vlera kombëtare e fetare… ndodhin situata të tilla”, ka deklaruar Azizi, duke shtuar se ky veprim ka shkaktuar pakënaqësi jo vetëm te deputetët shqiptarë, por edhe te ata maqedonas.
Sipas tij, reagime kritike ka pasur edhe nga deputetë të palës maqedonase, të cilët kanë shprehur keqardhje për situatën, duke pasur parasysh se bëhej fjalë për ditë të rëndësishme për besimtarët myslimanë.
Azizi ka theksuar se nuk e konsideron problem faktin nëse dikush agjëron apo jo, duke e cilësuar këtë si çështje personale, por ka dënuar atë që e quan “akt provokimi”, të cilin e përshkruan si jonjerëzor dhe në kundërshtim me çdo normë respekti institucional.


















