Kulturë
Autoritete nga Kosova dhe rajoni marrin në manifestimin “Kurora e Lirisë” në Bernë

Manifestimi përkujtimor dhe kulturor “Kurora e Lirisë”, që do të mbahet këtë të shtunë, më 14 mars, në Kursaal Arena në Bernë të Zvicrës, do të nderohet me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë institucionalë nga Kosova dhe rajoni, transmeton Albinfo.
Në këtë ngjarje pritet të marrin pjesë ministri i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare të Republikës së Kosovës, Andin Hoti, si dhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla. Ata do të jenë pjesë e manifestimit përkujtimor kushtuar sakrificës së familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë së Kosovës.
Në manifestim do të marrin pjesë edhe përfaqësues të jetës politike nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, mes tyre deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Dugolli, si dhe deputeti i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Adnan Azizi.
Prania e autoriteteve në këtë manifestim vlerësohet si një moment i rëndësishëm bashkimi ndërmjet institucioneve dhe mërgatës shqiptare në Zvicër, duke nderuar kujtesën historike dhe sakrificën për liri.
Manifestimi “Kurora e Lirisë” organizohet nga Këshilli i Shoqatave Kulturore Shqiptare në Zvicër, në bashkëpunim me shoqata dhe organizata kulturore shqiptare që veprojnë në këtë vend. Në programin e aktivitetit do të marrin pjesë ansamble artistike, kore, grupe kulturore dhe artistë nga Zvicra dhe Kosova, duke sjellë një program të pasur përkujtimor dhe artistik.
Në kuadër të manifestimit do të hapet edhe ekspozita fotografike “Prekazi – dashuri, dhimbje dhe krenari kombëtare” e autorit Sefer Aliçkaj, e cila për herë të parë do të prezantohet për publikun në Zvicër.















