Lajme
Zv/drejtori i Doganave, Mustafa Dauti viziton pikën doganore më Bllcaë

Zëvendësdrejtori i Doganave, Mustafa Dauti, ka realizuar sot një vizitë zyrtare në Pikën Kufitare Bllacë, ku është njohur nga afër me organizimin e punës dhe dinamikën e përditshme në një nga pikat më të rëndësishme për qarkullimin e mallrave dhe lëvizjen e qytetarëve.
Gjatë qëndrimit në terren, Dauti ka bashkëbiseduar me stafin lidhur me sfidat konkrete me të cilat përballen në përmbushjen e detyrave të tyre, duke theksuar nevojën për koordinim të vazhdueshëm, efikasitet dhe integritet në ushtrimin e funksioneve zyrtare.
Një theks i veçantë gjatë vizitës iu kushtua sistemit “One Stop Shop”, i cili sipas tij ka ndikuar ndjeshëm në lehtësimin e procedurave doganore dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe operatorëve ekonomikë.
Sipas të dhënave për vitin 2025, në Pikën Kufitare Bllacë janë regjistruar rreth 32.000 hyrje-dalje të kamionëve të ngarkuar dhe 25.000 kamionë të zbrazët, çka dëshmon për intensitetin e lartë të trafikut të mallrave dhe rëndësinë e rritjes së efikasitetit në punën e përditshme të administratës doganore.
Dauti theksoi se vizitat në terren nuk janë vetëm pjesë e detyrës institucionale, por edhe mundësi për të dëgjuar drejtpërdrejt zërin e punonjësve, duke nënvizuar se vetëm përmes komunikimit të hapur dhe mbështetjes së ndërsjellë mund të sigurohen shërbime më cilësore, transparencë më e madhe dhe respektim i plotë i ligjit në çdo pikë kufitare të vendit.


















