Lajme
VMRO zgjodhi anëtarët e ri të Komitetit Ekzekutiv (EMRAT)

Sot u mblodh Komiteti Qendror i VMRO-DPMNE-së, ku u morën vendime të rëndësishme për forcimin dhe modernizimin e mëtejmë të partisë, theksoi kryetari i partisë, Hristijan Mickoski.
“Komiteti Qendror mori vendim për zgjedhjen e një Komiteti të ri Ekzekutiv të partisë, i cili përfaqëson një ndërthurje mes përvojës dhe një pjese të njerëzve që tashmë kanë qenë pjesë e përbërjeve të mëparshme të Komitetit Ekzekutiv, si dhe anëtarë të rinj, të cilët së bashku me ata që në të kaluarën kanë qenë pjesë e Komitetit Ekzekutiv do ta formojnë përbërjen e re të këtij organi të partisë”, tha Mickoski, raporton Zyrtare.
Këto vendime, siç u shpreh ai, janë një tregues i qartë se partia po ndryshon dhe po përshtatet me sfidat e reja.
“Qëllimi ynë është krijimi i një strukture të fortë, efikase dhe të bashkuar, e cila do të ofrojë zgjidhje konkrete dhe të përgjegjshme për nevojat e qytetarëve.
Në periudhën në vijim, hyjmë në një fazë të kompletimit kadrovik dhe hapjes së mëtejshme të partisë ndaj ideve të reja, njerëzve të rinj dhe energjisë së re. Do të punojmë për forcimin e organizimit të brendshëm, transparencës dhe procesit gjithëpërfshirës të anëtarësisë.”
Ai paralajmëroi se në periudhën që pason do të ketë plotësim të strukturës së partisë, ndërsa tashmë në muajin maj, e më së voni deri në qershor, do të ketë edhe rindërtim të disa resorëve brenda kabinetit qeveritar, e ndoshta, siç tha, edhe në disa institucione.
Deri më tani, informoi ai, nuk është bërë një analizë e tillë, por në periudhën që vjen ajo do të realizohet.
Ai njoftoi se për sekretar të përgjithshëm të ri është zgjedhur deputeti Dragan Kovaçki.
Anëtarë të Komitetit Ekzekutiv janë: Aleksandar Nikollovski, Vlado Misajllovski, Gordana Dimitrieska Koçoska, Timço Mucunsk i, Gjorgjia Sajkoski, Nikolla Micevski, Luke Galevski, Antonio Milloshoski, Dafina Stojanovska, Rashela Mizrahi, Vlatko Gjorçev, Kiril Pecakov, Marija Andonovska, Eli Panova, Igor Janushev, Marija Miteva, Blagoja Tashaminov, Orce Gjorgjievski, Oner Jakupovski, Dragana Bojkovska, Sinisha Stojanovski, Stefan Andonovski, Filip Popovski dhe Boban Nikollovski.
Sekretar organizativ është Ivica Tomovski, ndërsa shef i kabinetit të Mickoskit vazhdon të mbetet Vladimir Nellovski.
“Në kushte kur kemi një opozitë që nuk ofron zgjidhje dhe është plotësisht pa ide, e mbushur me probleme, e dimë se zgjidhja duhet të jetë një kontribut i fortë qytetar për një VMRO-DPMNE të fortë dhe stabile.
VMRO-DPMNE vazhdon në rrugën e ripërtëritjes, bashkimit dhe përgatitjes për fitore të reja zgjedhore. Është e qartë se zgjedhjet e radhës do të jenë parlamentare, me një qëllim të qartë – një jetë më e mirë për të gjithë qytetarët.”
















