Connect with us

Lajme

Të zhdukur me dëshirë: bizneset që të fshijnë nga faqja e dheut…

Publikuar

Në Japoni, ndonjëherë konsiderohet “më e lehtë të avullosh” sesa të përballesh me poshtërimin apo dështimin. Ky fenomen njihet si jōhatsu, që fjalë për fjalë do të thotë “avullim”. Çdo vit, njerëzit braktisin vullnetarisht punët dhe familjet e tyre pa lënë gjurmë, duke kërkuar të çlirohen nga situata të paqëndrueshme.

Edhe pse ka libra dhe dokumentarë për këtë temë, jōhatsu mbetet një fenomen pak i njohur dhe shpesh i ekzagjeruar nga mediat perëndimore. Megjithatë, në Japoni ekzistojnë biznese të specializuara, të quajtura yonige-ya (shërbimi i zhvendosjes gjatë natës), që i ndihmojnë njerëzit të zhduken në mënyrë diskrete.

Këto agjenci organizojnë gjithçka: nga paketimi i sendeve personale në fshehtësi, te gjetja e akomodimit të ri apo punëve të paligjshme. Kostoja e një “avullimi” të tillë varion nga disa qindra deri në mijëra euro.

Pronarja e një prej këtyre agjencive në Tokio, e cila vetë u largua për t’i shpëtuar dhunës në familje, tregon se trajton rreth 120 raste në vit. Rreth 80 për qind e klientëve të saj janë gra që ikin nga abuzimi, por ka edhe burra që vuajnë nga depresioni apo borxhet.

Kjo dukuri nisi të përhapet shumë që në vitet 1960 si një alternativë ndaj divorcit, i cili në atë kohë mbante një stigmë të rëndë sociale. Në shoqërinë japoneze, ku pritshmëritë për sukses janë ekstremisht të larta, një gabim i vetëm mund të shihet si dështim i pariparueshëm.

Zhdukja shihet si një mënyrë për t’i kursyer familjes turpin. Gjurmimi i këtyre personave është mjaft i vështirë për disa arsye. Së pari për shkak të mbrojtjes së të dhënave. Ligjet japoneze e pengojnë policinë të ketë qasje te lëvizjet bankare apo të kartave të kreditit, pa pasur një krim të vërtetuar.

Së dyti, mungesa e bazave të dhënave. Japonisë i mungon një sistem i centralizuar për personat e zhdukur. Së treti nga turpi social. Shumë familje nuk i raportojnë zhdukjet për të shmangur gjykimin e të tjerëve.

Sipas sociologut Hiroki Nakamori, ky fenomen i lë të dyja palët në një gjendje “harrese”. Familjarët jetojnë mes shpresës dhe dëshpërimit, ndërsa ata që “avullojnë” përballen shpesh me vetminë dhe fajin, edhe pse ia kanë dalë të fshijnë të kaluarën e tyre. /tesheshi.com/

NA NDIQ NË FACEBOOK