Connect with us

Lajme

Shkupjani Benjam Idriz mbledh elitën politiko-shoqërore në iftar në Xhaminë e Penzbergut

Publikuar

Xhamia e Penzbergut përjetoi mbrëmë një nga momentet më të rëndësishme në historinë e saj. Në iftarin e organizuar nga Bashkësia Islame morën pjesë Kryeministri i Bavarisë, Markus Söder, si dhe Ministri i Brendshëm dhe për Integrim, Joachim Herrmann – një vizitë që u vlerësua si një sinjal i qartë njohjeje dhe respekti ndaj jetës myslimane në Bavari.

Përveç dy përfaqësuesve më të lartë të qeverisë bavareze, në mbrëmje morën pjesë mbi 80 të ftuar nga fusha të ndryshme të jetës publike: përfaqësues të bashkësive fetare, të politikës dhe të kishës. Ndër ta ishin peshkopi rajonal Christian Kopp, gjeneralvikari Christoph Klingan, myftiu i Bashkësisë Islame të Boshnjakëve për Evropën Perëndimore, Senaid Kobilica, kryeimami i IGBD-së për Bavari, Izet Bibić, kryetari i Këshillit Musliman të Mynihut, Sokol Lamaj, kryetari i Unionit të Qendrave Shqiptare në Bavari, imam Xhelal Kaloshi, kryetarja e qarkut, kryetari i bashkisë Stefan Korpan, drejtori i Akademisë në Tutzing, Udo Hahn, i ngarkuari për dialog ndërfetar i Qytetit të Mynihut dhe këshilltari bashkiak Marian Offman, si dhe konsullja e përgjithshme e Maqedonisë së Veriut, Juliana Nikolova.

Në fillim të programit, imami i Xhamisë së Penzbergut, Benjamin Idrizi, me prejardhje nga Shkupi, prezantoi zhvillimin historik të xhamisë, aktivitetet e saj të shumta, si dhe rolin që ajo luan në jetën shoqërore të qytetit të Penzbergut dhe më gjerë. Të ftuarit u shoqëruan më pas në xhami, ku ai dha shpjegime mbi arkitekturën e objektit dhe vizionin e tij: një xhami si hapësirë besimi, përgjegjësie qytetare dhe dialogu.

Në fjalën e tij, Kryeministri Markus Söder vlerësoi punën shumëvjeçare të Bashkësisë Islame në Penzberg dhe të imamit të saj, duke theksuar rëndësinë e fesë si burim orientimi dhe vlerash në shoqëri. Sipas tij, besimi për shumë njerëz është një forcë që jep stabilitet dhe kontribuon në kohezionin shoqëror. Ai e cilësoi iftarin e përbashkët si shprehje të një bashkëjetese me respekt në Bavari dhe nënvizoi se shteti dhe bashkësitë fetare mund të jenë partnerë të rëndësishëm në çështjet e përgjegjësisë dhe të mirës së përbashkët.

Ministri i Brendshëm, Joachim Herrmann, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e dialogut ndërfetar. “Të ndajmë së bashku traditat, t’i afrohemi njëri-tjetrit dhe ta jetojmë me vetëdije bashkësinë – këto janë urat më të forta që mund të ndërtojmë”, u shpreh ai. Mesazhi i tij kryesor ishte i qartë: “Më mirë të flasim me njëri-tjetrin sesa për njëri-tjetrin.”

Herrmann vuri në dukje se këtë vit Kreshma e krishterë dhe Ramazani islam kanë filluar njëkohësisht – një rastësi domethënëse që, sipas tij, përçon një mesazh të fuqishëm për bashkëjetesën e feve. Ai paralajmëroi se mungesa e njohurive për tjetrin shpesh krijon terren për paragjykime dhe intolerancë, ndërsa dialogu i hapur forcon mirëkuptimin.

Prania e dy përfaqësuesve më të lartë të qeverisë bavareze në këtë iftar u interpretua nga shumë pjesëmarrës si më shumë se një vizitë protokollare. Ajo u pa si shenjë vlerësimi për angazhimin e gjatë të bashkësisë dhe si një mesazh i qartë për rëndësinë e dialogut dhe respektit të ndërsjellë në një shoqëri pluraliste.

Mbrëmja në Penzberg dëshmoi se takimi krijon besim, dialogu ndërton respekt dhe bashkëjetesa kërkon përfshirjen e vetëdijshme të të gjithëve.

Maqedoni46 minutes ago

Të gjithë nën “Furtunën” antidrogë në Kumanovë: 11 javë mjaftuan për shkrirjen e njësisë!

Shqipëri1 hour ago

Toni Gogu: Paga e gjyqtarëve kalon vetëm nga dera e ligjit, Kuvendi mbron çdo qindarkë të qytetarëve

Sport2 hours ago

Admir Latifi, talenti nga Saraji firmos kontratë profesionale me NK Osijek deri në vitin 2029

Kosovë2 hours ago

Selimi: Kurrë nuk mund të dënohet UÇK-ja, është pasuria e këtij populli

Kosovë2 hours ago

Avokati i Popullit pas vendimit në Hagë: Padrejtësia ka ndodhur, drejtësia duhet të rivendoset në Apel

Lajme2 hours ago

Azizi: Me Jakup Huseinin në krye, Bërvenica do t’i bashkohet komunave të Pollogut që po ecin përpara

Kosovë3 hours ago

Protestuesit nisin të mblidhen para Qeverisë

Maqedoni3 hours ago

Zvarritja 11-vjeçare: Projekti i autostradës Kërçovë – Ohër vazhdon të mbetet i papërfunduar pas më shumë se një dekade nga nisja e punimeve.

Lajme3 hours ago

Mexhiti dhe Azizi, shuajnë zërat për përçarje brenda VLEN, shfaqen së bashku në Çellopek

Maqedoni4 hours ago

Zgjidhje për pjesën më të vështirë të autostradës! Botuni do të stabilizohet me konstruksion të ri

Lajme4 hours ago

Dënimi i krerëve të UÇK-së, BDI i reagon partive maqedonase: Drejtësia nuk mbrohet me standarde të dyfishta

Shqipëri4 hours ago

“730 komente që flisnin për varje dhe pushkatim!”- Deputetja Luarasi flet për videon e sulmit verbal: U përndoqa nga një grup që më ngjanin me pionerët e Enverit

NA NDIQ NË FACEBOOK