Lajme
Seferi: Vijojnë aktivitetet sezonale për mirëmbajtjen e gjelbërimit në disa zona të Shkupit

Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Parqe dhe Gjelbërime” në Shkup, Muamer Seferi, ka njoftuar se gjatë ditës së sotme po realizohen aktivitete sezonale për mirëmbajtjen dhe rregullimin e sipërfaqeve të gjelbra hortikulturore në disa zona të qytetit.
Sipas tij, ndërhyrjet po zhvillohen në zonën qendrore të qytetit, në Parkun e Qytetit si dhe në rajonin e Kalasë, ku ekipet janë angazhuar në rregullimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra.
Në kuadër të aktiviteteve, po kryhet krasitja e drunjve dhe e vegjetacionit të ulët në gjelbërimin përgjatë bulevardeve në rajonet e Aerodromit dhe Karposhit. Ndërkohë, në disa pjesë të rajonit të Butelit po realizohet pastrimi i gjetheve dhe largimi i masës së grumbulluar bimore.
Seferi theksoi se ndërmarrja mbetet e përkushtuar në ofrimin e sipërfaqeve të gjelbra të pastra, të rregulluara dhe të mirëmbajtura për qytetarët e Shkupit, duke shtuar se aktivitetet do të vijojnë edhe në ditët në vijim në përputhje me planin sezonal të punës.
















