Connect with us

Lajme

Sa ndajnë vendet e rajonit për investime kapitale nga buxhetet e tyre?

Publikuar

Shpenzimet kapitale apo investimet kapitale janë shpenzime të përdoruesve buxhetorë të destinuara për të mira publike afatgjata si rrugë, shkolla, spitale, ujësjellës, konvikte studentore, objekte sportive, aparatura shëndetësore, pajisje harduerike, softuer etj. Realizimi i tyre është i rëndësishëm sepse krijojnë shërbime më cilësore për qytetarët dhe kontribuojnë në zhvillimin ekonomik.

Të përcaktuara në këtë mënyrë, investimet kapitale, si teorikisht ashtu edhe praktikisht, kanë një rol të rëndësishëm në ekonomitë kombëtare dhe përfaqësojnë një motor të vërtetë të ekonomisë. Sigurisht, gjatë analizës së investimeve kapitale, përveç shumave të planifikuara në letër, një faktor shumë i rëndësishëm është edhe niveli i realizimit të investimeve të planifikuara të këtij karakteri.

Por, sa janë shumat për investime kapitale që vendet e rajonit i ndajnë nga buxhetet e tyre?

Ndarje të larta në letër, nivel i ulët realizimi

Në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, Qeveria e Maqedonisë miratoi Projektbuxhetin për vitin 2026, ndërsa në dhjetor Kuvendi e votoi buxhetin e propozuar, i cili kap vlerën rreth 6 miliardë euro. Qeveria paralajmëroi “nivel të lartë të investimeve kapitale”, përkatësisht 30,5 miliardë denarë ose rreth 660 milionë euro, që përbëjnë rreth 10 për qind të buxhetit të miratuar.

Sa i përket realizimit të investimeve kapitale, është e rëndësishme të theksohet se, sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2025 niveli i realizimit të investimeve ka qenë rreth 45 për qind.

Investimet më të rëndësishme infrastrukturore

Në këtë kontekst, ekspertët në opinion publik kanë dalë me qëndrimin se niveli i ulët i realizimit të investimeve kapitale i detyrohet një sërë anomalish sistemike, planifikimit jo të përshtatshëm, por edhe barrierave administrative dhe teknike.

Nëse shikohet Programi për Reforma Ekonomike (PER), mund të konstatohet se ndër investimet infrastrukturore më të rëndësishme për periudhën 2025–2027 janë Korridori hekurudhor 8, përfundimi i segmenteve Kumanovë-Belakovc-Kriva Pallankë deri në kufirin me Bullgarinë, projekti për pikë të përbashkët kufitare hekurudhore Tabanoc me Serbinë, gazifikimi përmes ndërtimit të segmenteve Shkup–Tetovë, Gostivar–Kërçovë dhe Shën Nikollë–Veles, si dhe interkoneksionet me Greqinë, Kosovën dhe Serbinë. Po ashtu, përfshihen edhe investimet në burime të ripërtëritshme të energjisë, si parku me erë “Bogdanci” dhe centralet fotovoltaike në Oslomej dhe Manastir, projekti për stacionin e pastrimit të ujërave të ndotura në Shkup, si dhe sistemet rajonale për menaxhimin e mbetjeve të ngurta në mbarë vendin.

Serbia fqinje

Serbia për vitin 2026 ka një buxhet shtetëror prej rreth 2.414,7 miliardë dinarësh, ose rreth 20,6 miliardë euro, që është 2,9 për qind më shumë krahasuar me të ardhurat e parashikuara me buxhetin origjinal për këtë vit.

Shpenzimet dhe daljet totale nga buxheti janë planifikuar në vlerën 2.751,7 miliardë dinarë (23,5 miliardë euro), kështu që deficiti fiskal do të jetë 337 miliardë dinarë ose rreth 2,9 miliardë euro, përkatësisht 3 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Sipas të dhënave zyrtare dhe deklaratës së ministrit serb të Financave, Sinisha Mali, të shpërndarë në rrjetet sociale, për investime kapitale nga buxheti i vitit 2026 do të ndahen 737,4 miliardë dinarë ose 20,5 miliardë euro, që përbëjnë 30,5 për qind të buxhetit të përgjithshëm për këtë vit.

Cilat janë projektet kryesore kapitale?

Ministri Mali sqaroi se investimet kapitale përbëjnë 6,7 për qind të PBB-së totale, ndërsa në vitet 2010, 2011 dhe 2012 ky nivel ishte 2, 2,5–3 për qind e PBB-së së vendit.

Mali theksoi se nga fillimi i vitit 2025 në Serbi janë hapur 57,3 kilometra rrugë të reja, ndërsa nga viti 2013 deri më sot janë ndërtuar 608,7 kilometra rrugë. Ai paralajmëroi se deri në fund të vitit do të hapen edhe 40,5 kilometra, që do të thotë se vetëm këtë vit do të vihen në funksion pothuajse 100 kilometra rrugë të reja./TRT Balkan/

NA NDIQ NË FACEBOOK