Lajme
Rrugët e lëna rrugëve!

Në fjalorin politik të para vitit 2013, Edi Rama kishte një togfjalësh të parapëlqyer për të goditur qeverisjen e Sali Berishës: “Rrugët e lëna rrugëve!”.
Ishte një gjetje gjeniale komunikimi, që në atë kohë rezononte me të vërtetën e hidhur të kantierëve që hapeshin për vota dhe mbylleshin për shkak të dështimeve teknike.
Sot, trembëdhjetë vite më pas, ky togfjalësh nuk është më një premtim për ndryshim, por një epitaf për propagandën e “Rilindjes”, ndërsa infrastruktura shqiptare po shembet nën peshën e babëzisë dhe papërgjegjshmërisë.
Me sa duket, historia përsëritet si tragjedi dhe më pas si farsë. Rama kishte të drejtë kur ironizonte projektet e paraardhësit. Kush mund ta harrojë hapjen pompoze dhe elektorale të tunelit të Kalimashit në qershor 2009?
Vetëm pak muaj më vonë, tuneli u shemb, duke i kushtuar arkës së shtetit rreth 100 milionë euro shtesë për riparime emergjente. E njëjta skemë vijoi me autostradën Tiranë-Elbasan. Në vend që kompania greke “Aktor” të mbante përgjegjësi për rrëshqitjet e kodrave në Ibë, ajo u “shpërblye” me 140 milionë euro shtesë, duke e kthyer një rrugë 30 kilometra në një gropë thithëse parash.
Por, ajo që pritej të ishte “ndryshimi i madh”, u kthye në një përsosje të vjedhjes. Sot, rrugët po lihen rrugëve në mënyrë edhe më skandaloze. Pamjet e disa ditëve më parë në aksin Librazhd-Elbasan, ku një pjesë e tërë kodre u shemb mbi rrugë duke rrezikuar jetën e qytetarëve, janë dëshmia e gjallë se siguria teknike sakrifikohet për të fryrë faturat e tenderave.
Ky aks, ashtu si ai Qukës-Qafë Plloçë – një projekt që ka tejkaluar çdo afat dhe logjikë – tregon se rruga nuk ndërtohet për të lidhur njerëzit, por për të transmetuar paratë publike drejt oligarkëve të preferuar.
Nuk mbetet pas as Rruga e Arbrit, ku bypass-et shemben rregullisht. As Tuneli i Llogorasë që fryhet me kosto shtesë, e as rruga Ndroq-Plepa që zvarritet pa fund. Por pas këtyre rrëshqitjeve të dherave fshihet një “rrëshqitje” akoma më e rëndë: ajo e shtetit ligjor.
Pamja e infrastrukturës shqiptare sot është një skenë krimi. Ish-kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Evis Berberi, ndodhet pas hekurave për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa pasardhësi i tij po ashtu po përballet me hetimet e SPAK.
Kjo tregon se ARRSH nuk është më një institucion teknik, por një “bankomat” i rrezikshëm ku paratë e shqiptarëve kthehen në pasuri të paluajtshme për drejtorët e radhës. Mbi të gjithë këtë piramidë korrupsioni qëndron eprorja e tyre, Belinda Balluku.
Politikisht, “super-ministrja” është tashmë një figurë e vdekur. Imazhi i saj është asgjësuar nën peshën e dosjeve që SPAK po qep çdo ditë. Juridikisht, ajo po luan një lojë të dëshpëruar mbijetese, duke u përpjekur me çdo kusht të shmangë qelinë, ndërsa i troket në derë përgjegjësia për rrugët që asfaltohen sot dhe shemben nesër.
Kur krerët e institucionit përfundojnë në burg, pyetja nuk është më “nëse” ka pasur korrupsion, por “sa lart” shkojnë fijet e tij. Sot, Edi Rama nuk mund ta përdorë më atë togfjalësh kundër askujt.
Sepse “Rrugët e lëna rrugëve”, janë tashmë vula e qeverisjes së tij. Janë rrugët ku hidhen miliona, por ku qytetari gjen vetëm rrëshqitje dherash, vonesa dhe pasiguri. Propaganda mund t’i zbukurojë videot me dron, por nuk mund të fshehë faktin që infrastruktura shqiptare është sot një kantier i madh i grabitjes, ku çdo kilometër asfalt kushton 10 herë më shumë se në vendet e BE-së por zgjat sa gjysma e një stine.
Mjerisht, Shqipëria po paguan dy herë: një herë me taksat që vidhen për të mbushur xhepat e drejtorëve në burg, dhe një herë me jetët që rrezikohen nën rrënojat e kodrave që shemben mbi projektet e dështuara të “Rilindjes”. /tesheshi.com/



















