Religjion
Pendohu dhe ndiqe Pejgamberin a.s.

Gjysma e muajit shaban tashmë ka kaluar, e për shabanin thuhet se ai është muaji i Pejgamberit (a.s.) Ky muaj është vendosur ndërmjet muajit të miraxhit, Rexhebit, dhe muajit të fillimit të shpalljes, ramazanit. Në këtë muaj të bekuar (shaban) e kemi shënuar edhe natën e bekuar të Beratit. Çfarë do të thotë fjala berat? Në kuptimin gjuhësor do të thotë: çlirim nga fatkeqësia, nga vështirësia, nga belaja. Njeriu mund të përballet me lloje të ndryshme fatkeqësish, belash dhe vështirësish, por më të rëndat dhe më shkatërrueset janë ato që e bëjnë njeriun të mjerë në të dy botët, dhe ky është gjynahu.
I Dërguari i Allahut në muajin shaban tërhiqej në shpellën Hira, meditonte për kuptimin e jetës dhe kërkonte përgjigje për pyetjet themelore: prej nga vijmë, pse jemi këtu dhe kah po shkojmë?
Nata e 15 e muajit shabanit, nata e Beratit, na nxiste që ta kujtonim veten se të gjithë, kur të takohemi me Zotin tonë, do ta marrim librin e veprave tona. Ky libër nuk do t’u jepet të gjithëve nga e njëjta anë. Të shpëtuarit, siç na mëson Shpallja, do të jenë ata që librin do ta marrin në dorën e djathtë, ndërsa ata që do të banojnë në Xhehenem librin do ta marrin në dorën e majtë. Në rrugë të shtrembër dhe pas udhëheqësve të pamoralshëm e mëkatarë shkon ai në librin e të cilit ka më shumë vepra të këqija. Për të tillët, Allahu i Lartësuar lajmëron se do t’i mallkojnë udhëheqësit e tyre dhe do të distancohen prej tyre edhe në Ditën e Kiametit: “Por, në Ditën e Kiametit do ta mohoni njëri-tjetrin dhe do ta mallkoni njëri-tjetrin.” (El-Ankebut, 25).
Ibni Abbasi (r.a.) thotë: “Unë e lexoja ajetin: “Ja, lexoni librin tim!” (El-Hakka, 19), dhe nuk e dija se kujt do t’i drejtoheshin këto fjalë, derisa Ka‘bi erdhi tek Omeri (r.a.), ndërsa ne ishim ulur pranë tij. Ka‘bi tha: ‘Allahu i Madhëruar, në Ditën e Kiametit, do t’i ringjallë krijesat në një luginë të gjerë, ku thirrësi do të mund t’i thërrasë dhe shikimi do t’i përfshijë të gjithë. Pastaj çdo popull do të thirret sipas udhëheqësve të tyre, atyre që ua kanë mësuar udhëzimin ose i kanë udhëhequr në humbje. I pari do të thirret ai që ka ftuar në rrugën e drejtë. Ai do të dalë dhe libri i veprave të tij do t’i jepet në dorën e djathtë. Të gjitha veprat e tij të mira do t’u paraqiten njerëzve të tjerë dhe ata do ta lexojnë, e do të thonë: “Lum ai, sa shumë të mira paska.” Atij do t’i jepet një kurorë drite, e cila do t’i verbojë ata që do ta shikojnë. Do t’i thuhet: “Shko te pasuesit e tu dhe gëzoji me lajmin se secilin prej tyre e pret ajo që e more ti.”
Kur të thirret ai që ka ftuar në humbje, libri i veprave do t’i jepet në dorën e majtë. Veprat e tij të këqija, mëkatet e tij, do t’u shfaqen të gjithë njerëzve dhe ata do t’i lexojnë, e do të thonë: “Mjerë ai, sa shumë të këqija paska bërë.” Pas kësaj, fytyra e tij do të errësohet si nata e zezë, në kokë do t’i vihet një kurorë e zjarrtë prej së cilës do të ngrihet tym, dhe do t’i thuhet: “Shko te pasuesit e tu dhe gëzoji me lajmin se secilin prej tyre e pret e njëjta gjë që të ka goditur ty.” Kur ai t’u kthehet atyre, të gjithë nga lugina do të thonë: “O Allah, mos e bëj këtë tonin, mos e sill ndër ne.” Çdo grup pranë të cilit do të kalojë, do ta mallkojë dhe do të distancohet prej tij.” (Tenbihul-gafilin).
Allahu i Madhëruar na ka dërguar një udhëheqës; edhe pse nuk e kemi takuar e nuk e kemi njohur personalisht, ne e dimë rrugën që duhet ndjekur, sepse ai (sal-lallahu alejhi ue sel-lem), ka lënë shenja të qarta dhe udhëzim të saktë: “Po ju lë dy gjëra; nëse kapeni pas tyre, kurrë nuk do të humbni: Librin e Allahut dhe Sunetin tim.” (Muslimi).
Në muajin para shabanit ndodhi miraxhi, dhe në miraxh u bë obligim namazi. Ai u obligua që të na ruajë nga mëkati dhe shthurja, që të mos na lejojë të devijojmë nga rruga e drejtë dhe që të na udhëheqë drejt asaj drite që do të na e ndriçojë rrugën deri te ajo kurorë që, në Ditën e Gjykimit, do të shkëlqejë në kokën e udhëheqësit tonë dhe do të na verbojë sytë me dritën e saj. Ky udhëheqësi ynë është udhëheqës i mbarë njerëzimit deri në fund të botës. Ai na zgjon çdo mëngjes për namazin e sabahut, na nxit që çdo ditë të mësojmë diçka të re dhe të bëjmë diçka të dobishme. Nga ne kërkon që seriozisht të përgatitemi për vdekjen dhe për largimin nga kjo botë. Na mëson si të ruhemi nga harami dhe si me çdo veprim tonin të jemi në një angazhim, fryti i të cilit është që fjala e Allahut të jetë më e larta.
Kur Allahu i Madhëruar e krijoi njeriun, njeriut iu ofrua një i pabindur ndaj Allahut për t’u bërë udhëheqësi i tij. Shejtani, Allahu e mallkoftë, ofrohet që të na udhëheqë nëpër jetë, duke na e zbukuruar mëkatin, shthurjen dhe të shëmtuarën. Na thërret në shkelje të çdo lloji. Na pëshpërit në vesh se falja e namazit është barrë dhe vazhdimisht na bind se për pendim, për tevbe dhe për vepra të mira ka ende kohë. Na kthen kundër njëri-tjetrit, godet martesën dhe familjen, ndërsa fëmijët tanë i tërheq drejt alkoolit dhe mëkateve të mëdha dhe veseve shkatërruese. E kur atij t’i vihet kurora e zjarrtë në kokë, atëherë secili do të lutet që ky i mallkuar të mos vijë drejt nesh; secili do të shpresojë që ai të mos ketë qenë udhëheqësi i tij. Kush do të donte që në Ditën e Gjykimit përfundimtar ta ketë një udhëheqës të tillë?
Në këto ditë të mbetura të shabanit, të frymëzuar nga mesazhet e natës së Beratit – e berat do të thotë çlirim nga belaja, nga vështirësia, nga fatkeqësia (lexo: nga gjynahu) – le të bisedojmë me vetveten dhe le të luftojmë. Lufta nuk është e lehtë, por le ta fillojmë atë; ndihma e Allahut nuk do të mungojë. Le të luftojmë që në përditshmërinë tonë të jetë me ne dhe që mëkatet të jenë sa më të pakta. Ta mbajmë mend se Zoti ynë Mëshirëplotë na ofron falje; Ai do të na falë nëse pendimi ynë është i sinqertë dhe me mëshirën e Tij do të na mbulojë me begati të shumta. Pendohu dhe ndiqe Pejgamberin.
O Allahu i Lartësuar, na ndihmo që me pendim të sinqertë të pastrohemi nga mëkatet dhe që në Ditën e Gjykimit të mos jemi prej atyre që do ta mohojnë udhëheqësin e tyre! Amin!
Hatib: Izet ef. Čamdžić
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)






















