Lajme
Ngritja dhe rënia e Artan Grubit

Artan Grubi, i cili më herët kishte punuar në disa organizata ndërkombëtare, u fut në politikë nëpërmjet organizatës Zgjohu, dorë e zgjatur e BDI-së, sidomos në protestat e vitit 2011 kundër ndërtimit të një objekti në Kala që pretendohej të transformohej në kishë.
Grubi, shpejtë ngjiti shkallët në parti, u bë shef kabineti e këshilltar politik i Ahmetit, ndërkaq në vitin 2019-të u bë sekretar organizativ.
Ahmeti, ishte aq i afërt me Grubin, saqë lejoi që të shkëputet një pjesë e anëtarësisë së partisë e cila për një periudhë funksionoi si i ashtuquajturi grupi i zjarrit, për shkak të mospajtimeve me Grubin, të cilin e kishte bërë zëvendëskryeministër të parë.
“Tani janë çuar peshë, hiqe Artan Grubi. Po nuk e heq, sepse është vendim i shumicës”, kishte thënë Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Për lojalitetin e Grubit ndaj Ahmetit, të shtresuar edhe në rrafshin privat me kumbaris, më së miri flet kjo deklaratë e vetë Grubit, i cili pranon se çdo aktivitet të tij politik e bën me aminin e Ahmetit.
“Nuk jam person i ri, nuk jam fëmijë. Por, të gjithë e dinë se në politikë unë do të bëjë ashtu siç do të më thotë Ali Ahmeti. Nëse Ali Ahmeti më thotë të shkojmë me LSDM-në, do të shkojmë me LSDM-në”, ishte shprehur Artan Grubi.
Në vitin 2023, Artan Grubi ishte në qendër të vëmendjes pasi iu dogj makina luksoze Audi. Ai, nuk pranonte se ishte makina ishte në pronësi të shokut të tij, e që sipas Grubit, ia kishte dhënë për ta përdorur. Megjithatë, kjo u prit me mosbesim në opinion.
Grubi, do të mbahet mend edhe për gabimin e tij trashanik në vitin 2014-të kur me nxitim shkoi të fotografohet me një përmendore në qendër të Shkupit, duke pretenduar se është veprimtari shqiptar Nexhat Agolli. Në fakt, përmendorja ishte qenë e veprimtarit maqedonas, Metodija Shatorov-Sharlo. Grubi. Ndonëse ishte politikan, Grubi është akuzuar edhe për përzierje në aktivitetet e grupit të tifozerisë së Shkupit “Shvercerat”, por edhe për menaxhimin e një rrjeti të portaleve.
Fati i tij politik, përfundoi në mënyrë tragjike pasi u fut në Listë të Zezë pasi kishte marrë ryshfet për ta shpëtuar Sasho Mijallkovin nga proceset gjyqësore./ Alsat.mk

















