Connect with us

Lajme

Nga ikja në arrest shtëpiak: Rasti i Grubit hap kutinë e Pandorës

Publikuar

Arresti shtëpiak për Artan Grubi ka shkaktuar një valë reagimesh dhe akuzash të ndërsjella mes LSDM-së, VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit Vlen, duke hapur një përplasje të re politike.

Reagimet në opinion nuk po qetësohen pas kthimit në Maqedoninë e Veriut të ish-zëvendëskryeministrit dhe funksionarit të lartë të BDI-së, i cili për më shumë se një vit ishte në arrati. Pas disa orësh në paraburgim, gjykata i caktoi arrest shtëpiak me mbikëqyrje 24-orëshe, pasi Prokuroria Publike deklaroi se “ekzistojnë indikacione se në repartin e paraburgimit nuk mund të garantohet siguria e tij personale”.

Vendimi nxiti një ortek kritikash dhe akuzash të ndërsjella mes partive politike.

Dyshime për skenar të parapërgatitur: a “Grubi dinë shumë”?

Partitë akuzojnë për një skenar të dakorduar dhe të inskenuar paraprakisht, si dhe për marrëveshje të fshehta. Disa prej tyre vlerësojnë se në qarqe të caktuara partiake mbretëron panik, pasi – siç shprehen ata – “Grubi dinë shumë”, ndërsa arresti shtëpiak lidhet me gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me institucionet.

Nga koalicioni “Vlen” theksojnë se kthimi i Grubit nuk është fundi i procesit, por fillimi i një zbërthimi që mund të çojë në demaskimin e plotë të mënyrës se si ka funksionuar BDI-ja. “Pyetja nuk është më nëse do të ketë pasoja politike, por sa të thella do të jenë ato”, deklarojnë nga Vlen.

Sipas tyre, Artan Grubi nuk ishte funksionar i zakonshëm. “Ai ishte zbatues, koordinator dhe njeri i besuar për të gjitha vendimet kyçe në vitet e fundit. Nga marrëveshje prapaskenike, te tenderë të dyshimtë e deri te pazare politike – Grubi ishte i pranishëm kudo ku ndërtohej pushteti i BDI-së. Prandaj sot nuk bëhet fjalë vetëm për përgjegjësi individuale, por për një sistem që po fillon të shpërbëhet”, thonë nga partneri qeveritar.

LSDM dhe VMRO-DPMNE me akuza të ndërsjella

Pas më shumë se një viti në arrati, të hënën (23.02) Grubi u dorëzua në pikën kufitare Bllacë. Ai dyshohet për korrupsion dhe keqpërdorime në rastin “Lotaria Shtetërore”, ku dëmi i pretenduar ndaj shtetit tejkalon 8 milionë euro.

Nga VMRO-DPMNE akuzojnë se LSDM kishte dijeni për krimin, por ka heshtur. “Për të mbetur në pushtet, LSDM i ka toleruar keqpërdorimet në ‘Lotari’ nën drejtimin e Bajramit, e nën mbikëqyrjen e Grubit”, deklarojnë nga partia.

LSDM, nga ana tjetër, pretendon se arresti shtëpiak është dëshmi për një marrëveshje mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. “Shteti juridik është varrosur. Gjithçka është e dakorduar dhe e inskenuar paraprakisht. Arrest shtëpiak për një person që një herë ka ikur. Prandaj u ndërruan prokurori publik dhe gjyqtarët”, thuhet në reagimin e tyre.

Interpretime politike dhe kontekst ndërkombëtar

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Miloshoski, deklaroi se Grubi ndoshta e ka kuptuar se nuk do të ketë ndryshime të shpejta politike, prandaj ka vendosur të dorëzohet. Ai rikujtoi gjithashtu se Grubi ndodhet në listën e zezë amerikane, gjë që e komplikon më tej statusin e tij jashtë vendit.

Anëtari i Kryesisë Ekzekutive të LSDM-së, Jon Frckoski, vlerësoi se e gjithë procedura është pjesë e një “inxhinieringu” mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, ndërsa ndalimi i tij i ka ngjarë një “pritjeje ceremoniale”. Sipas tij, pushteti me këtë rast po përpiqet të defokusojë opinionin nga tema të tjera, si paga minimale, skandalet dhe rastet e pazgjidhura. (INA)

NA NDIQ NË FACEBOOK