Connect with us

Religjion

Nderi i muslimanit ruhet në zgjatjen e dorës së ndihmës, jo në sytë që qajnë në përcjelljen e xhenazes

Publikuar

Tregohet se një gjarpër e kafshoi një pulë në këmbë. Derisa po përhapej ngadalë në trupin e saj, pulat e tjera u mblodhën rreth saj, të hutuara dhe të frikësuara, pa ditur se si ta ndihmonin.

Kur ndjeu se helmi po depërtonte gjithnjë e më thellë në trupin e saj, ajo u përpoq të shpëtonte duke e këputur pjesën e plagosur të këmbës. Mirëpo, pulat e tjera vendosën ta dëbonin, nga frika se “helmi” do të përhapej. Qëndronin në prag të kotecit dhe e shikonin pa zë se si motra e tyre po largohej ngadalë, duke tërhequr trupin e sakatuar mbi tokën e ftohtë. Ajo qante nga dhimbja, por edhe më shumë nga vetëdija se ishte braktisur – jo nga armiku, por nga ata që i kishte konsideruar familje.

Në çastin kur afërsia e tyre i duhej më së shumti, e pritën tradhtia dhe përbuzja, të mbështjella me mantelin e kujdesit të rremë dhe indiferencës. E plagosur dhe e hedhur poshtë, u nis drejt natës së ftohtë. Një lot i rrëshqiti nga syri, dhe kjo ishte gjëja e fundit që pulat, në ngrohtësinë e strehës së tyre, panë, para se ajo të zhdukej pas horizontit.

Disa prej tyre atëherë thanë: “Lëreni të shkojë. Do të vdesë larg nesh.”

Kur pula më në fund u zhduk, të gjitha pulat ishin të bindura se ajo kishte vdekur; disa madje ngrinin shikimin nga qielli, duke shpresuar se do të shihnin shkaba duke qarkulluar mbi trupin e saj.

Kaloi shumë kohë. Një ditë, në kotec zbriti një kolibër dhe tha: “Motra juaj është gjallë. Ajo është strehuar në një shpellë të largët. Ka mbijetuar, por me vështirësi po gjen ushqim dhe ka nevojë për ndihmën tuaj.”

Mbretëroi heshtja, e më pas prej saj lindën justifikimet:
– Nuk mundem, po bëj vezë.
– Nuk mundem, po kërkoj kokrra gruri dhe misri për t’u ushqyer.
– Nuk mundem, po kujdesem për zogjtë.

Dhe asnjëra nuk shkoi. Kolibri u kthye i vetëm.

Pas një kohe, ai u shfaq sërish dhe tha: “Motra juaj ka vdekur e vetme në shpellë. Askush nuk e ka vizituar. Askush nuk e ka varrosur.”

Atëherë kotecin e mbuloi një heshtje më e rëndë se errësira e natës së zezë. Vezët mbetën pa u bërë, kokrrat pa u mbledhur, zogjtë të lënë pas dore. Çdo pulë, qoftë edhe për një çast, u ndal përballë pyetjes: Pse nuk shkuam sa ishte gjallë?

Të kapluara nga pendesa, të gjitha u nisën drejt shpellës, duke qarë dhe vajtuar. Më në fund gjetën arsye për ta vizituar shpellën – por ishte tepër vonë. Në shpellë nuk gjetën asgjë tjetër përveç mbetjeve të pendëve dhe një mesazhi që thoshte:

“Njerëzit shpesh nuk bëjnë përpjekje të të ndihmojnë sa je gjallë, por janë të gatshëm të përshkojnë distanca të gjata për të të varrosur pas vdekjes. Shumica e lotëve në xhenaze nuk janë nga pikëllimi, por nga faji, pendesa dhe brejtja e ndërgjegjes.”

Tregimi i pulës së plagosur, të braktisur dhe të hedhur nga “motrat” e saj, është pasqyrë e umetit islam të sotëm, i cili e ka humbur ndjenjën e vëllazërisë së vërtetë, të bashkësisë dhe aftësisë për të marrë frymë si një shpirt i vetëm.

Në fakt, skena fillestare e këtij tregimi nuk paraqet thjesht vetëm frikacakëri individuale; por ajo zbulon një çarje në ndërgjegjen kolektive. Frika nga “helmi” – qoftë real apo i imagjinuar – shndërrohet në justifikim për braktisjen dhe tradhtinë e muslimanëve të pushtuar dhe të shtypur.

Këtu lind ajo që diskursi bashkëkohor islam rrallëherë e quan me emrin e vërtetë: tradhtia e heshtur, heshtja dhe tërheqja në çastin kur detyrimi për ndihmë dhe solidaritet është më i rëndë, por pikërisht atëherë edhe më i vlefshëm. Sepse ajo që e shkatërron umetin nuk është helmi i “gjarprit”, por racionalizimi i ftohtë i tradhtisë, i paketuar në gjuhën e “kujdesit”, të “realpolitikës” dhe të “ruajtjes së interesit vetjak”.

Gaza sot i ngjan në mënyrë tronditëse pulës së plagosur të kësaj fabule. Por Gaza nuk është vetëm metaforë. Ajo është një motër reale – jo me këmbë të këputur, por e tëra e plagosur, e shtypur dhe e copëtuar, e lënë në mëshirën dhe pamëshirën e gjarprit sionist, si gjatë agresionit të përgjakshëm, ashtu edhe pas nënshkrimit të armëpushimit. Sipas të njëjtës logjikë të ftohtë me të cilën pulat në tregim e lanë motrën e tyre të plagosur në shpellë, frika justifikon tradhtinë, ftohtësia e zemrës maskohet si kujdes, ndërsa pafuqia shndërrohet në arsyetim.

Refuzimi dhe braktisja e muslimanit që ndodhet në fatkeqësi – në këtë rast, refuzimi dhe lënia e muslimanëve të Gazës – përbën një çarje të ashpër të indit të umetit, të cilin Allahu ka urdhëruar ta ruajmë. Sepse vëllazëria nuk dëshmohet në rehati, por në vorbullën e sprovave dhe në çastet e vështirësisë. Në etikën islame, dëmi i vërtetë nuk qëndron në atë që mund ta godasë ndihmuesin, por në atë që e godet të plagosurin, të pafuqishmin dhe të shtypurin padrejtësisht.

Allahu i Lartësuar ka shpallur: “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër, andaj pajtojini vëllezërit tuaj midis tyre dhe kijeni frikë Allahun, në mënyrë që ju të mëshiroheni.(el-Huxhurât, 10)

I Dërguari i Allahut (savs), ka thënë: “Shembulli i besimtarëve në dashurinë, mëshirën dhe dhembshurinë e ndërsjellë është si një trup i vetëm: kur sëmuret një pjesë e tij, i gjithë trupi ndien pagjumësi dhe ethe.” (Buhariu)

Ummeti bashkëkohor, për fat të keq, po i ngjan gjithnjë e më shumë një grumbulli organesh të izoluara që kanë humbur vetëdijen për bashkësinë dhe lidhjen e ndërsjellë. Muslimanët sot janë mësuar t’i shohin vuajtjet e muslimanëve të tjerë si një pamje të largët, e jo si një thyerje të brendshme të qenies së tyre.

Por duhet ta dimë se mbetjet e “pendëve” dhe mesazhi që pula e plagosur la në shpellë nuk janë thjesht vetëm detaje letrare, por dëshmi kundër umetit që ka dështuar, sepse nderi dhe dinjiteti i muslimanit ruhen me dorën që i zgjat ndihmën, e jo me sytë që qajnë në xhenazen e tij.

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK